"Hajdutë si ju nuk ka parë bota!" Berisha denoncon në Kuvend tenderin 34 mln euro të KESH që u mbyll për dy orë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama për vjedhje të qytetarëve shqiptarë. Edhe krizën energjitike për të cilën flet qeveria, ai e lidhi po me këtë shkak.
Berisha solli rastin e tenderit të fundit të KESH 34 milion euro, i cili sipas tij u mbyll brenda dy orësh.
Berisha: Tashmë është bërë bajate dhe vulgare se nga kjo sallë, deputetët e pseudomazhorancës kanë vetëm dy tema kryesore, sëpari sulmin e opozitës, së dyti lavdërimet e qeverisë. Lavdërimet e një grupi njerëzish që nuk guxojnë të takojnë një qytetarë të vetëm. Lavdërimet e një grupi njerëzish që në çdo pozicion, në çdo ditë e çdo kohë vetëm vjedhin. Lavdërimin e një grupi njerëzish që janë bërë urrejtje kryesore e qytetarëve shqiptarë. Lavdërimin e një grupi njerëzish me në krye Edi Ramën që fluturon me një aeroplan me 150-300 mijë euro.
Në dallim nga të gjithë qeveritë e tjera në Europë, ndërtojnë 1 km rrugë në fushë 24 mln euro. 8 Herë më lartë se çmimin sepse ndajnë paratë me njëri-tjetrin. E kanë shndërruar administratën shtetërore, në një vend hajdutësh. Të papërgjegjshëm, të cilët vendosin format më të egra të rrjepjes dhe vjedhjes së qytetarëve shqiptarë.
Në këtë mënyrë kujtoni se përfaqësoni qytetarët? A jeni këtu për të përfaqësuar qytetarët apo si këta që kam pas që janë në planet tjetër. Unë jam i bindur, se edhe këtu kur flisni, nuk shoh të bëni një takim me qytetarët. Nuk keni dy tema. Sikur problemi i qytetarëve nuk janë vjedhjet e qeveritarëve por opozita që i denoncon ato. Ju po e shpërbëni dhe po e damkosni Parlamentin. Flisni për krizë energjitike. Shqipëria nuk ka asnjë kusht përveç vjedhjes për të qenë në krizë energjitike.
Energjia elektrike që prodhohet në Shqipëri, nuk ka lidhje me luftën në Ukrainë. Një javë më parë bënë tenderin e energjisë në KESH. Me 29 shtator në orën 10 shpallën tenderin që do mbyllej në orën 12 të ditës me superurgjencë 34 milion euro. Hajdutë si ju nuk ka parë bota. Pse nuk flisni ju? Hapet me një platformë mafioze që se ka miratuar askush, as enti juaj i prokurimeve. E kanë servirur firmat me të cilat ju ndani paratë. Nuk them për ju (deputetët socialistë) por këta këtu(ministrat) mbuishin thasët. Arkitekti i gjithë këtyre vjedhjeve të mëdha është Edi Rama.
