Thyerje e arrestit të shtëpisë dhe kokainë në qendrën e tatuazheve, prangosen 2 persona
Policia e Tiranë ka finalizuar operacioni e koduar "Tattoo", ku është goditur 1 rast i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në një qendër tatuazhesh.
Si pasojë, janë vënë në pranga administratori i qendrës dhe bashkëpunëtori i tij, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Po ashtu janë sekuestruar lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, në rrugën "Sulejman Delvina".
"Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në një qendër tatuazhesh në rrugën "Sulejman Delvina", kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Tattoo", për kapjen e tyre. Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve"; B. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit"." - njofton policia.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi B. Sh. kishte shkelur masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, duke dalë jashtë banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
