"Meta, partizan i primareve", Flamur Noka në Ora News: Jam në kontakt pothuajse të përditshëm me Partinë e Lirisë

Ndërsa kryetarët e dy partive kryesore opozitare, Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë shprehur publikisht që do opozita do të futet me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, edhe puna për ta formalizuar ka nisur.

Këtë e zbuloi në studion e Ora News Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Gjatë intervistës me gazetarin Everest Dedaj ai tha se personalisht është në diskutime pothuajse të përditshme me Partinë e Lirisë.

Noka: Jemi në bisedime. Mund t'ju them se gjatë këtyre ditëve kam kontaktuar me disa prej aleatëve. Partia e Lirisë është aleati kryesor i joni.Meta e ka bërë publik qëndrimin. Çdo vendim do të jetë sëbashku me aleatët, çdo qëndrim do jetë i përbashkët. Ne jemi bashkë. Kemi vetëm një qëllim: Të gjithë sëbashku të shpëtojmë Shqipërinë. Shqipëria sot është në ditën e saj më të zezë dhe ka vetëm një faktor që e ka shkaktuar këtë: Edi Rama dhe banda e tij.Të gjithë aleatët janë pjesë e bisedimeve, konsultimeve për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Kandidatët do të jenë të përbashkët për të mundur të gjithë ushtarët e Rilindjes së Edi Ramës.

Ai shtoi se Meta është partizan i primareve.

Noka: Gjithçka është në bisedime. Primaret janë gjëja që e kanë pranuar dhe aleatët. Vetë Meta e ka shprehur. Nga bisedat e mia konfidenciale me të, të vazhdueshme, thuajse të përditshme, Meta ka qenë një nga partizanët e primareve si sistem në këtë aspekt.

I pyetur nëse PD ndjen presion te Partia e Lirisë dhe aletatët e tjerë nga SHBA-të  për të mos bashkëpunuar me Sali Berishën, ai dha këtë përgjigje:

Noka: Pas gjithë këtyre skenareve ka vetëm një presion: Lobimet e Soros, asgjë tjetër. Por kjo nuk na ndalon kurrë të vazhdojmë të jemi forca më proamerikan që ka pasur dhe ka ky vend.Të më thuash se Rilindja ka proamerikan kur të gjithë janë pinjollë Sigurimi, Byrosë, Komitetit Qëndror etj.