Topi: Do të shkoj të takoj Thaçin në Hagë, vizitë sa njerëzore aq edhe për mbështetje politike
Në “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, ish-presidenti Bamir Topi u shpreh se do të niset në Hagë për të takuar atje politikanët e Kosovës.
Ai tha se ky është një gjest sa human, por ashtu edhe politik i tij në raport me njerëz që i ka njohur në momente shumë të rëndësishëm të kombit.
Topi: Unë i jam përgjigjur pozitivisht ftesës për të qenë pjesë e këtij grupi. Çdo politikan i lartë që ka qenë në institucionet e vendit, nuk mund të rrijë dorëjashtë sa i përket një gjesti që së pari duhet të konsiderohet që vjen nga predispozita njerëzore për ca njerëz që i ka njohur në periudha shumë të rëndësishme të kombit.
Kam qenë në Kosovë në momente shumë delikate. Vizitën e parë zyrtare e kam bërë në vitin 2008, 3 javë para se të vinte pavarësia dhe kam takuar politikanë aty. Nuk mund të luajmë rolin e pasivit kur ndodhin gjëra shumë të rëndësishme. Do të takoj disa miq që janë të izoluar atje. Është mbështetje edhe në planin politik.
