“Pazaret” në burgun e Fierit, punonjësit falsifikuan uljet e dënimit, lirimet me kusht e punën në burg
Gardianët dhe punonjësit e burgut të Fierit të arrestuar nga Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve kanë falsifikuar dosjet e të dënuarve, duke i ndihmuar ata të përfitojnë padrejtësisht ulje dënimi, apo edhe lirim me kusht. Një tjetër abuzim është gjetur në farmacinë e burgut, ku janë evidentuar ilaçe të skaduara ndërkohë që disa prej tyre dyshohet se janë përdorur. Po kështu dyqani brenda burgut është lejuar të punojë pa matës dritash.
Grupi prej 18 punonjësish të burgut të Fierit, të cilët u arrestuan nga Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve, akuzohen për 19 raste kur të dënuarit kanë përfituar ulje dënimi me nga 90 ditë, duke shkurtuar kështu kohën e qëndrimit në qeli, falë të dhënave të rreme që plotësonin punonjësit e burgut të Fierit.
Konkretisht, idënuari M.S, rezulton se i është drejtuar Gjykatës së Fierit më 24 dhjetor 2019 me objekt ulje dënimi.
Vetë burgu në datën 23 janar i drejtuar gjykatës, duke u shprehur në vlerësim se i dënuari nuk plotëson kriteret ligjore për të përfituar ulje dënimi.
Por në vendimin e gjykatës, të datës 23 janar 2020 me objekt ulje dënimi thuhet se përfaqësuesi i drejtorit të burgut Fier u shpreh dakord me pranimin e këkesës.
Në analizë të gjykatës është përshkruar se në bazë të vlerësimit te sjelljes paraqitur IEVP, i dënuari sipas aktit të vlerësimit ka shfaqur sjellje dhe qëndrim korrekt dhe është vlerësuar pozitivisht.
Gjykata ka vendosur uljen e dënimit me burgim për kërkusin në masën 90 ditë.
Prokuroria thekson se i dënuari kishte masë disiplinore në këtë kohë dhe për rrjedhojë ulja e dënimit është bërë me pasqyrimin e rrethanave të rreme në gjykatë nga punonjësi që ka përfaqësuar burgun e Fierit.
Në dosjen ndaj 18 gardianëve të arrestuar përshkruhen edhe 6 raste lirimesh të padrejta me kusht të përfituara nga të dënuarit.
Në dosjet e tyre punonjësit kishin bërë shënime të rreme për punësim në burg dhe më pas koha e punës është konvertuar në dënim, ndërkohë personat që kanë përfituar nuk rezulton të kenë kryer asnjë ditë punë.
Një tjetër shkelje është evidentuar nga hetimi me dyqanin që shet produkte brenda burgut, i cili nuk ka vendosur matës në linjën e furnizimit me energji elektrike.
Po kështu në farmacinë e burgut janë gjetur ilaçe të skaduara, të cilat jo vetëm që nuk ishin asgjësuar por dyshohet se janë përdorur, pasi ka mungesë të gjendjes faktike në raport me sasinë e futur në burgu sipas dokumentacionit të sekuestruar.
