Plehrat e Shijakut në landfillin e Tiranës, Partia e Lirisë nxjerr kontratat mes bashkisë dhe incineratorit
Partia e Lirisë ka denoncuar këtë të mërkurë me dokumente bashkinë e Shijakut sa i takon mbetjeve. Koordinatorja Kombëtare e Luftës kundër Korrupsiont, Brisida Shehaj, publikoi disa dokumente ku faktohej se ishte lidhur marrëveshje me incineratorin e Tiranës dhe bashkisë së Shijakut që kundrejt pagesave të bëhej depozitimi i mbetjeve në landfill.
Beteja per plehrat vazhdon të nxjerrë shkresa të tjera me pagesa në landfillin e Tiranës. Djegia e mbetjeve në Shijak dhe denoncimi i Ilir Metës u pasua me reagimin e Kryebashiakut.
"Depozitimi i mbetjeve të Shijakut është bërë në landfillin e Sharrës falas. As një qindarkë nuk është paguar nga bashkia e Shijakut për landfillin e Sharrës."
Por Partia e Lirisë pretendon të kundërtën. Sipas Brisida Shehajt, depozitimi falas i mbetjeve ishte vetëm pak ditë.
"Ajo deklaratë ka një 15 ditësh të vërtetë. Kompania i thotë keni të drejtë të depozitoni nga 29 qershori deri në 15 korrik, 15 ditë falas se shkresa është protokolluar në datë 30 qershor".
Për këtë Shehaj zbuloi kontratë-pagesat dhe detyrimet e prapambetura.
"Në datën 23 gusht 2021 lidhet marrëveshja, palët bien dakord të paguhet tarifa 29 euro për ton pa TVSH. Incineratori në 4 tetor 2021 ja drejton bashkisë Shijak. Në faqen e dytë është rakordimi që është firmosur nga Elton Arbana që për muajin shtator detyrimi që ka bashkia për të paguar është 14325.07 euro. Është firmosur nga Arbana dhe zonja Arjola Kodra, janë 411.64 ton mbetje. Shijaku i pastër patjetër, por duke paguar para. Askush nuk e kryen këtë shërbim falas."
Javën e ardhshme në 13 shtator, Partia e Lirisë ka paralajmëruar dhe një proteste në dyert e landfillit në Sharrë.


