(Ç)kyçet Air Albania, Balluku: Vendimi i QKB i përkohshëm, do shlyhen detyrimet

Tre vite më parë ministrja Belinda Balluku e konsideroi një arritje të madhe nisjen e fluturimeve të Air Albania. Në fakt në atë kohë gjithçka u përfshi në një mungesë transparence duke u konsideruar edhe si një nismë qeveritare.

Por ka qenë lajmi se QKB ka pezulluar aktivitetin e Air Albanias që ka sjellë dhe një saktësim të Ballukut. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja u kujdes të saktësonte se shteti ka vetëm një pakicë të aksioneve por dhe faktin se vendimi është i përkohshëm.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Komenti i parë që unë do të bëj është që ajo është një kompani private në 90% të aksioneve të saj dhe shteti shqiptar ka 10% të aksioneve.

Fakti që QKB-ja zbaton ligjin pavarësisht se shteti është 10% aksioner tregon se sa mirë funskionojnë strukturat shtetërore.

Ndërkohë sa i përket procesit, unë jam informuar sot paradite që është një proces rutinë që i ndodh çdo kompanie kur ata nuk dorëzojnë dokumentacionin e duhur për të pasur dritën jeshile nga QKB-ja.

Kështu i është kërkuar Air Albania-s duke qenë se një nga pronarët është Turkish Airline, është pronar i huaj.

Nuk është i mësuar me rregullat e Republikës së Shqipërisë, që të dorëzojë menjëherë përfituesin fundor, pasi ky ka qenë dhe problemi i shtruar nga QKB-ja. Nga informavcionet që kam, di që do të kryhet brenda ditës së sotme, nuk është asgjë e jashtëzakonshme," tha ajo.

Sipas shënimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit kompania nuk kishte deklaruar në kohë pronarët përfitues si dhe bilancet. Ndaj dhe kurizimi qëndron deri në pagesën e gjobës dhe zbatimin e detyrimeve.