“Qeveria zyrtarizoi Klubin e Oligarkëve të Naftës”, deputeti Agalliu: Situata e vështirë ekonomike kërkon vëmendje

Deputeti i PD  Arbi Agalliu gjatë një deklarate për mediat ka kërkuar vëmendjen e qeverisë sa i përket gjendjes së vështirë ekonomike.

Agalliu e quan Bordin e Transparencës për çmimin e naftës si Klub të Oligarkëve të Naftës.

Arbi Agalliu: Prej muajsh Shqipëria renditet në 10 vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë. Ndërkohë që në Rajon vendi ynë ka çmimin më të lartë. Po të bëjmë një krahasim të thjeshtë vetëm me dy vende të Rajonit Maqedonin e Veriut dhe Kosovës, rezulton se: Më 31 Gusht një litër naftë: Në Shqipëri tregtohej me 248 lekë për liter; Në Maqedoninë e Veriut tregtohej me 193 lekë për litër, ose 55 lekë më lire se në Shqipëri; Në Kosovë, tregtohej me 205 lekë, ose 43 lekë më pak se në Shqipëri.

"Qeveria në vend që të ishte në krah të qytetarëve, në vend që të kontrollonte tregun, në vend që të lehtësonte barrën fiskale që të ulte çmimin, bëri propagandë dhe zyrtarizoi Klubin e Oligarkëve të naftës duke e quajtur Bord dhe duke i dhënë të drejtën të fiksojë çmimin e karburanteve."

Sakaq ai ka kërkuar që Gjykata Kushtetutese të shqyrtojë sa më shpejt kërkesën për shfuqizimin e Bordit të Transparencës.

Arbi Agalliu: Dje Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetutese kërkesën për shfuqizimin e këtij Bordi, si mekanizëm që po vjedh shqiptarët dhe po i varfëron ato edhe më shumë. Ndërsa nxisim Gjykatën Kushtetutese për një shqyrtim të shpejtë dhe pa vonesa të kërkesës dhe mbrojtjen e interesit publik, Grupi Parlamenar i Partisë Demokratike kërkon nga Qeveria marrjen e dy masave urgjente për lehtësimin e situatës dhe uljen e çmimit të karburantëve.

“Situata e vështirë ekonomike kërkon ndërhyrje, kërkon vëmendje nga Qeveria, kërkon të hiqet dorë nga propaganda, kërkon masa urgjente. Koha është tani, cdo ditë që kalon e bën edhe më të papërballueshme jetesën për shqiptarët.” , tha ai.