BE nuk heq dorë nga dialogu/ Më 9 shtator, Lajçak dhe 2 këshilltarët vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën
Bashkimi Europian është i vendosur për ta finalizuar dialogun Kosovë-Serbi. Dhe për arritjen e këtij objektivi, javën e ardhshme i dërguari i Posacëm Miroslav Lajçak dhe delegacioni i tij do të zhvillojnë takime intensive në Prishtinë dhe Beograd për të gjetur një formulë të gjithëpranuar.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, së bashku me dy këshilltarët e sapo-emëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, do të vizitojnë dy kryeqytetet respektive më 9 shtator.
Zëdhënësi i Brukselit, Peter Stano, theksoi qëllimi i vizitës është gjetja e kompromiseve të mundshme për ta finalizuar dialogun Prishtinë-Beograd, teksa tha se takimet me krerët e qeverive do të zhvillohen të ndara.
Peter Stano: BE dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme” dhe që “të çojnë dialogun drejt fundit”. Në këto takime do të eksplorohen të gjitha opsionet e mundshme për përparimin e dialogut.
Pak ditë më parë Vuçiç dhe Kurti morën një letër me kërkesë për më shumë gadishmëri për zgjidhjen e konflikteve nga kancelari gjerman Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog dhe për një normalizim të plotë të mardhënieve Prishtinë-Beograd.
Pas zhvillimit të takimeve diplomatike bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar në fund të gushtit, shtatori ishte i qetë në veri të Kosovës, teksa tashmë ka hyrë në fuqi vendimi për lëvizjen e lirë dhe targat.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve që nga 2011, ndërsa takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiç ishte më 18 gusht, por pa rezultat.
