Kurti i kërkoi Vuçiç të lejojë vizitën e zv/kryeministrit Bislimi në Preshevë, ai çon Bërnabiç në Mitrovicën e Veriut

Nuk ka qenë Beogradi i pari i cili ka bërë kërkesën që kryeministrja e Serbisë Bërnabiç të vizitojë sot (5 shtator 2022) veriun e Kosovës . Kryeministri Albin Kurti njoftoi në një konferencë për median të dielën se Prishtina i ka dërguar kërkesë Beogradit të vizitojë Luginën e Preshevës.

"Ne së pari kemi bërë kërkesë që zv/kryeministri i parë i Kosovës, përgjegjës për integrimin europian dialog e zhvillim, Besnik Bislimi të vizitojë Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin shoqëruar nga ministrja e Arsimit, më pas na ka ardhur edhe kërkesa neve që zonja Bërnabic të vizitojë veriun e Mitrovicës. Shpresoj që edhe vizitat e zyrtarëve, pas qarkullimit të lirë të qytetarëve do të kontribuojnë në lëvizjen e lirë në përgjithësi" tha kryeministri Kurti në konferencë. 

Sipas njoftimit që e ka bërë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Bërnabiç do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, pritet të jetë e shoqëruar edhe nga Petar Petkoviç, drejtor i kësaj Zyre 

E para se të hyjë në Kosovë Albin Kurti i dërgoi mesazhin të bëjë kujdes e të mos përcjellë deklarata përçarëse e ndarëse.

"Pres që zonja Bërnabiç, të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve.

Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër për këtë më pak se një vit e gjysmë ka bërë më shumë sesa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet pakicë apo jo shumicë, por këtu e kemi një vështirëse, sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike, jo sipas përkatësisë nacionale”, tha Kurti.

“Dhënia e lejes për vizitë u bazua në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë informoi më 2 shtator Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.