Bislimi dhe Nagavci i pret policia serbe tek Dheu i Bardhë, Bërnabiç hyn në Mitrovicën e Veriut
E ndërsa Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç po viziton Mitrovicë të Veriut.
Zv/kryeministri Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës. Me këtë rast policia serbe ka dal tek Dheu i Bardhë për ta pritur delegacionin nga Kosova dhe për ta përcjell deri në Bujanoc.
LAJMI NE PERDITESIM
Ora 13:45 Ana Bërnabiç: Populli serb duhet ta dijë se askush, askush nuk guxon ta rrezikojë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë se ka ardhur në Kosovë për të sjell mesazhe paqeje, por gjatë fjalimit të saj, të hënën në Mitrovicën e Veriut, ajo megjithatë provokoi e akuzoi e Qeverinë e Kosovës.
“Populli serb (në Kosovë) duhet ta dijë se askush, askush nuk guxon ta rrezikojë”, tha ajo në vizitën e parë në Kosovë si kryeministre e shtetit fqinj.
Ora 13:18 Bërnabiç refuzon ta quajë kufi pikën mes Kosovës dhe Serbisë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka refuzuar që ta quajë kufi – pikën e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Bërnabiç këto deklarata i bëri pas kalimit të kufirit Kosovë – Serbi.
Ora 12:20 Bislimi e Nagavci mbërrijnë në Bujanoc, takohen me Kamberin
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë nisur vizitën në Luginën e Preshevës. Ata fillimisht janë pritur në takim nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, duke vazhduar më pas me takimin me deputetin në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin. Bislimi dhe Nagavci do të shkojnë edhe në komunën e Preshevës për ta vizituar një shkollë fillore në Tërnoc.
Ora 12:03 Bërnabiç në Mitrovicën e Veriut: Interes i Serbisë është paqja dhe stabiliteti
Ana Brnabiç aktualisht ndodhet në Qendrën Multimediale, e cila gjendet afër kishës së Shën Dimitrije.
Në fjalimin e saj ajo iu drejtua qytetarëve të kësaj komune se dëshironte të përçonte mesazhe paqeje, stabiliteti dhe tolerance.
Ora 11:21 Policia serbe e pret delegacionin e Kosovës tek Dheu Bardhë (FOTO)
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.
Me këtë rast policia serbe ka dal tek Dheu i Bardhë për ta pritur delegacionin nga Kosova dhe për ta përcjell deri në Bujanoc, raporton klan kosova.
Ndërkohë kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç ka mbërritur në Mitrovicën e Veriut.
Ora 11:14 VIDEO/ Kryeministrja e Serbisë mbërrin në Mitrovicën e Veriut
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka arritur në Mitrovicë të Veriut. Kryeministrja u prit atje nga përfaqësues të Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës, si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë. Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb.
Ora 02:41 RECIPROCITETI/ Bislimi dhe Nagavci vizitojnë sot Luginën e Preshevës, Bërnabiç në Mitrovicën e Veriut
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizitojnë Luginën e Preshevës, ditën e hënë, datë 05.09.2022.
Sipas agjendës Bislimi dhe Nagavci do të kenë takim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, takim me Deputetin z. Shaip Kamberi, takim me krerët e Komunës së Bujanocit, vizitë në Shkollën Fillore ‘’Muharrem Kadriu’’ - Tërnoci, vizitë në Shkollën Fillore ‘’Ibrahim Kelmendi’’ - Preshevë, drekë Pune me liderët politik të Preshevës dhe takim me Shoqata, Biznese dhe Personalitete të Shquara në Bujanoc", njoftoi Qeveria e Kosovës.
Në konferencën për median të dielën paradite kryeministri Kurti tha se Prishtina i ka dërguar kërkesë Beogradit të vizitojë Luginën e Preshevës.
"Ne së pari kemi bërë kërkesë që zv/kryeministri i parë i Kosovës, përgjegjës për integrimin europian dialog e zhvillim, Besnik Bislimi të vizitojë Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin shoqëruar nga ministrja e Arsimit, më pas na ka ardhur edhe kërkesa neve që zonja Bërnabic të vizitojë veriun e Mitrovicës. Shpresoj që edhe vizitat e zyrtarëve, pas qarkullimit të lirë të qytetarëve do të kontribuojnë në lëvizjen e lirë në përgjithësi" tha kryeministri Kurti në konferencë.
Ndërkohë sot Bërnabiç do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç.
E para se të hyjë në Kosovë Albin Kurti i dërgoi mesazhin të bëjë kujdes e të mos përcjellë deklarata përçarëse e ndarëse.
"Pres që zonja Bërnabiç, të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve" tha Kurti.
“Dhënia e lejes për vizitë u bazua në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë informoi më 2 shtator Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.



