Serbia kërkon paqe me kushte/ Kryeministrja Brnabiç: Duam të ruajmë stabilitetin në Kosovë
Në vizitën e saj të parë në Kosovë, kryeministrja e Serbisë ka thënë se Beogradit i intereson paqja në rajon. Duke u zotuar për stabilitet, ajo ka akuzuar qeverinë Kurti se nuk po formon asociacionin e komunave serbe, pa të cilin palët nuk mund të shkojnë drejt marrëveshjeve të reja në dialog.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka nisur vizitën njëditore në komunat serbe në veri të Kosovës.
Nga Mitrovica e Veriut, duke inkurajuar minoritetin serb që jeton në Kosovë, kryetarja e qeverisë serbe ka deklaruar se Beogradi zyrtar kërkon paqe në marrëdhënien e tij me Prishtinën.
"Faleminderit që qëndroni këtu pa marrë parasysh çdo gjë. Ne do të vazhdojmë të investojmë në Kosovë. Dëshira jonë dhe mesazhi im sot është paqe, stabilitet, siguri, investime në shkolla, kopshte, rrugë," tha kryeministrja.
Njësoj si eprori i saj, zonja Brnabiç u përpoq të viktimizonte serbët që jetojnë në veri të Kosovës se po keqtrajtohen nga Prishtina zyrtare, kryeministrja serbe ka kritikuar homologun e saj kosovar se po shkel marrëveshjet përfshirë ëndrrën e vjetër të Beogradit për formimin e komunave me shumicë serbe, pa të cilin sipas Brnabiç nuk mund të ketë marrëveshje të reja në dialog.
"Ne e dimë që serbëve në Kosovë u mohohet e drejta e votës dhe mendoj se kjo më mirë tregon gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, e dyta është mosrespektimi i shumë marrëveshjeve, Prishtina nuk respekton marrëveshjet ndërkombëtare. Prishtina nuk i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit, nuk e ka formuar asociacinin prej 9 vitesh, pa asociacionin është e pamundur të diskutojmë marrëveshje të tjera," tha ajo.
Komentet e saj vijnë pasi zoti Kurti uroi që të shihte demokraci në vizitën e saj në veri të Kosovës.
Zonja Brnabiç u pyet nga serbët vendas se si ndihej për vizitën e parë në Kosovë, për të cilën 47-vjeçarja tha se ndihej sikur të ishte nga këto troje.
Më 2 shtator, autoritetet e Kosovës lejuan vizitën e saj, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.
Kryeministrja serbe do të vizitojë tre komuna në të cilin komuniteti serb dominon në veri të Kosovës, përkatësisht Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Leposaviç.
Delegacioni i saj shoqërohej nga drejtori i të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën Petar Petkoviç dhe përfaqësues të Listës Serbe.

