Arifi nuk do takohet me Bislimin e Nagavcin: Injoruan çdo shqiptar në Luginë, s’i kanë transferuar as 2 mln eurot

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, nuk do të takohet me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministren e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilët po qëndrojnë sot në Luginën e Preshevës.

Arifi i tha Gazetës Express se ka disa arsye se pse nuk do të zhvillohet ky takim, ndërsa fillimisht tha se ata nuk kanë kërkuar takim me të.

“Nuk do të takohem me ta. E kanë injoruar Komunën e Presheves dhe çdo shqiptar në Luginë. Arsye tjetër janë politikat e LVV-së, sepse unë nuk i nënshtrohem atyre dhe për shkak të kritikave të cilat i jap në kuadër të politikave të saj në dialog. I shoh të manget në koncept dhe në përfshirje të shqiptarëve në zgjidhje”, tha Arifi.

Kryetari i Preshevës tha se Qeveria Kurti II ende nuk i ka transferuar 2 milionë eurot e premtuara për Luginën e Preshevës.

Qeveria e Kosovës në projektbuxhetin e vitit 2022 kishte ndarë 2 milionë euro për Luginën e Preshevës.

Nga vizitat në Preshevë dhe Bujanoc, Bislimi e Nagavci kanë planifikuar të takojnë përfaqësues politikë, personalitete të ndryshme e biznese.