Macron dhe Scholz i dërgojnë letër Vuçiçit: Përshpejtoni dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Liderët e Francës dhe Gjermanisë e kanë ftuar presidentin e Serbisë që të ofrohet për të bërë hapa të mëtejshëm progresivë në dialogun me Kosovës. Macron dhe Scholz thonë se Ballkani duhet të jenë në BE dhe për këtë shtetet e rajonit duhet t’i japin fund konflikteve.
Franca dhe Gjermania po punojnë për hapa të mëtejshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.
Të dielën Parisi dhe Berlini njoftuan se do të dërgojnë dy këshilltarë për politikën e jashtme dhe sigurinë që të ndjekin rregullisht situatën në Prishtinë e Beograd si dhe të asistojnë punën që po kryen i dërguari i Posaçëm i Brukselit për dialogun mes dy shteteve fqinje, Miroslav Lajçak.
Në 4 shtator, datë kjo që shenjon edhe 2-vjetorin e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz i kanë dërguar një letër liderit serb Aleksandar Vuçiç në lidhje me dialgoun me Kosovën.
Zyra e shtypit të presidentit Vuçiç ka bërë me dije se dy liderët evropianë i kanë kërkuar vendosmëri në procesin e dialogut si dhe nevojën që lind për marrjen e vendimeve të vështira në lidhje me Prishtinën zyrtare.
"Ne jemi të bindur se në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta, në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet afatgjata dypalëshe dhe rajonale. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Tensionet e fundit kanë treguar se nevojiten urgjentisht hapa përpara në nivel praktik dhe politik", thuhet në letër.
Më 30 gusht, Prishtina dhe Beogradi arritën një marrëveshje për heqjen e dhënies së dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit e dy vendeve që hyjnë ose dalin nga ato vende.
Falë kësaj marrëveshjeje, u shmangën tensionet e mundshme si ato të 31 korrikut të këtij viti, kur serbët vendas në veri të Kosovës ngritën barrikada në shenjë proteste.
Bashkimi Evropian tani pret që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për targat e automjeteve në veri të vendit që janë lëshuar në territorin serb.
