Duka "zbyth" Erion Veliajn, Prokuroria e Tiranës pushon kallëzimin ndaj zyrtarëve të FSHF-së

Prokuroria e Tiranës e ka cilësuar të pabazuar në ligj kallëzimin e bërë nga kryebashkiaku Erjon Veliaj, ndaj zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, lidhur me procedurën e përzgjedhjes së kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë.

Përplasja përmes deklaratave publike e shoqëruar me shantazhe dhe kërcënime nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tek kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përfundoi me një kallëzim penal për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”.

Kallëzimi i Bashkisë u depozitua në Prokurorinë e Tiranës në muajin janar 2022.

Ora News mëson se në muajin korrik, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë procedimin penal të Erjon Veliaj, duke dorëzuar në Gjykatën e kryeqytetit, kërkesën për pushimin e ndjekjes penale ndaj kreut të FSHF-së, Armando Duka, sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, sekretarit të Përgjithshëm të “Shoqatës Tirana” Ardian Haçi dhe Koço Kokëdhimës.

Prokuroria i cilëson argumentat e ngritura në kallëzimin e Veliaj, si të pabazuara dhe si rrjedhojë ajo nuk mund të vijojë ushtrimin e mëtejshëm të ndjekjes penale, për pretendimet e Veliaj.

Tashmë kërkesa është në fazën e gjykimit në Gjykatën e Tiranës, e cila në ditët në vijim do marrë dhe vendimin përfundimtar nëse do pushohet përfundimisht dosja penale apo do rikthehet sërisht për hetim.

Përplasja Veliaj-Duka erdhi në një periudhë kur Federata Shqiptare e Futbollit, po organizonte fushatën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të FSHF-së.

Kryebashkiaku Veliaj u kthye në “partizanin” kryesor të sulmeve politike ndaj FSHF-së dhe zyrtarëve të saj, duke çuar agravimin e situatës deri në pikën e shantazhimeve, kërcënimeve dhe vendosjen e tritolit në banesën e kreut të FSHF-së, Armando Dukës në Durrës.

Njëherësh inspektorët e Tatimeve u vërsulën në bizneset e Dukës, për të kontrolluar aktivitetin tregtar të tyre.

Situata doli jashtë kontrollit, kur Gjykata penale e Tiranës, pranoi në fund të muajit shkurt të këtij viti kërkesën për pezullimin nga detyra të Armando Dukës, Ardian Haçit dhe Ilir Shulkut.

Ky vendim bëri që kreu i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, të zbarkojë në Tiranë, duke zhvilluar takime me Dukën dhe kryeministrin Edi Rama.

Por sulmet politike dhe pengesat artificiale të krijuara nga Veliaj, nuk e bllokuan zhvillimin e votimit për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili u rizgjodh President në 15 mars 2022 me shumicë votash, kundrejt Sulejman Starovës që mori 4 vota dhe Dritan Shakohoxhës që s’mori asnjë votë.

Rizgjedhja e Dukës në krye të FSHF-së, nxori nul dhe vendimin e gjykatës penale të Tiranës, që pezulloi zyrtarët nga detyra.

Njëherësh largoi dhe sulmet politike të Erjon Veliajt.