Inzaghi kërkon ndihmën e fatit në derbi: Do të vendosin detajet
Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe pa favoritë të dukshëm. Kështu mendon Simone Inzaghi në prag të derbit të Milanos mes Milanit dhe Interit, i vlefshëm për javën e pestë të Serie A.
Në konferencën e shtypit, trajneri zikaltër thekson se ka ende shumë dilema për mbrojtjen ku Bastoni është në dyshim por edhe për krahët dhe sulmin pasi vetëm Lautaro ështe i konfirmuar si titullar.
"Ndeshja do të vendoset nga episodet dhe ne duhet të luftojmë që të jenë në krahun tonë. E dimë të gjithë se çfarë përfaqëson derbi për tifozët tanë. Skuadra është rikuperuar psikologjikisht dhe në gjendje të mirë.
E mbajmë mend mirë se çfarë ndodhi në derbin e fundit të kampionatit por skuadra nuk ka nevojë të karikohet. Duhet vendosmëri sepse këto janë ndeshje shumë të ndiera për tifozët dhe ambjentin.
Interi aktual? Do ta thotë fusha nëse është skuadra më e fortë që kam stërvitur deri tani. Zhvilluam një merkato inteligjente ku miksohen të rinjtë dhe lojtarët me eksperiencë".
