Vllaznia e femrave “buzëqesh”, peshkon kundërshtar të kalueshëm në play-off

Vllaznia duhet të kalojë një skuadër ukrainase nëse dëshiron të kualifikohet në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Skuadra shkodrane e femrave ka mësuar emrin e kundërshtarit në play-off që është Vorsla-Kharkiv-2, i njohur ndryshe edhe si Kharkiv-Zhytlobud-2.

Për faktin se skuadra ukrainase nuk mund të luajë në vendin e saj për shkak të luftës, nuk është caktuar ende qyteti ku do të zhvillohet një prej sfidave, e planifikuar për në 20 ose 21 shtator. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Shkodër në datën 28 ose 29 shtator.

Ky është viti i dytë rresht që Vllaznia e femrave kualifikohet në play-off dhe është vetëm një pengesë larg fazës së grupeve pasi një sezon më parë u eleminua nga Juventusi. Në turin e parë, Vllaznia fitoi ndaj Spartak Myjavës me rezultatin 1-0, ndërsa kundërshtaret arritën të kalonin grupin e tretë në turin e parë duke mundur ekipet rivale të Lanchkhuti dhe Bilk-Shymkent.