Kuvendi nis punën javën tjetër me dosjet e spiunëve dhe mandatin e Xhaçkës
"Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër."
E në fakt mazhoranca nuk priti shumë për të shuar alarmin e Kryetares së Kuvendit,Lindita Nikolla.
Projektligjin për verifikimin pa dallim të politikanëve nëse kanë qenë ish-sigurimsa, socialistët e kanë dorëzuar me nxitim në mbledhjen e parë për këtë sesion parlamentar të Konferencës së Kryetarëve.
Nisma ka të bëjë me verifikimin edhe të atyre që e kanë marrë certifikimin nga Komisioni Mezini Bezhani në vitin 1997.
Në atë kohë edhe Ilir Meta mori dokumentin e pastërtisë, por sipas Autoritetit të Dosjes kanë dalë dokumente të tjera në dritë, duke deklaruar se ish- presidenti ka pasur dosje, por nuk verifikohet dot pa u rishikuar ligji.
Nismës së socialistëve i është bashkuar edhe demokrati Enkelejd Alibeaj.
Në këmbim ai ka dorëzuar edhe tri projekte, kthimin e burgut të Spaçit e Tepelenës në Muze Kombëtar dhe deklasifikimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Në 60 minutat e mbledhjes u pranua që të vijojë edhe diskutimi i mandatit të ministres Olta Xhaçka, e cila nga opozita akuzohet se ka shkelur Kushtetutën në momentin kur bashkëshorti i saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik si dhe një sipërfaqe toke në bregdet me një euro.
Mandati i Xhaçkës
PD kërkon heqjen e mandatit të deputetes socialiste me pretendimin se ka ndikuar me postin e saj në kabinetin qeveritar për t’i dhënë bashkëshortit shfrytëzimin e pronës publike në bregdetin e Himarës si dhe do të përfitojë nga paratë publike për të investuar 5.5 mln euro një hotel me 5 yje.
Në rast se PS nuk do ta lëshojë Ministren Xhaçka, atëherë PD me 28 firma ka edhe një mundësi për t’u drejtuar Kushtetueses.
Sigurismat
Mazhoranca kërkon riverifikimin e të gjitha figurave por duke shtuar se cilido që rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor nuk duhet të kandidojë për deputet, kryetar bashkie apo në institucione shtetëore. Ndërkohë dje Meta dorëzoi në Prokurori kallëzimin penal ndaj Autoritetit të Dosjeve
Do të rikthehen dhe diskutimet sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor me qëllim reformën elektorale para zhvillimit të votimeve në 61 bashkitë e vendit.
Po ashtu rikthimi në sallë i deputetëve do të zhvendosë përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës në foltoret e komisioneve dhe të seancës plenare.


