Lojërat e qeverisë me fatin, eksperti: Duhet të ketë studime tregu. Qytetarët pro dhe kundër rihapjes
Edhe pse u vendos për mbylljen e lojërave të fatit, këtë vit Qeveria vendosi sërish që ti lejojë ato. Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, Qeveria duhet të bëjë studime para se ti hapë dhe të plotësohen një sërë kushtesh.
Edhe pse u ndërmor një aksion masiv për mbylljen e kazinove dhe basteve, Qeveria ka vendosur ti rikthejë lojërat e fatit.
Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, mbyllja e lojërave të fatit krijoi mundësisë e transferimit të shumave të konsiderueshme nga Shqipëria.
Preçi: Mbyllja ka qenë jo thjesht e nxituar, e motivuar nga interesa të dyshimta, me pasoja ekonomike në financat e shtetit etj, por edhe hapja po bëhet në të njëjtën mënyrë. Mungon analiza e gjendjes së tregut, potencialeve që ka tregu etj.
Sipas Preçit, para hapjes së lojërave të fatit shteti duhet të plotësojë disa kushte.
Preçi: Përveç studimit të përvojës së vendeve të tjera, përveç rishikimit, plotësimit të kuadrit rregullator, posaçërisht sa i takon mbikqyrjes, mendoj se është e nevojshme që Shqipëria të harmonizojë legjislacionin që lidhet me pastrimin e parave, mbrojtjen e konsumatorëve nga mashtrimi, që lidhet me sigurinë kibernetike.
Por qytetarët thonë se vendimi për mbyllje nuk ishte i drejtë pasi dhe pse pa licenca, ky aktivitet ka qenë i hapur.
"Edhe pse janë të mbyllura, njerëzit po luajnë dhe kjo ndodh në fshehtësi."
"Kanë lozur lojëra fati, bixhoz kanë lozur në kohë të Enverit, jo tani."
Por në qëndrime jo të gjithë kanë qenë të njëjtë.
"Ka bërë shumë mirë që dha vendimin, gjithë bota e ka loto sportin."
"Shumë keq."
"Të hapen patjetër."
"Nuk duhet të ishin mbyllur, pse të shkoj në Maqedoni unë të loz një loto?"
"Nuk është mirë me i hap, familja do shkatërrohet, grindjet do fillojnë."
"Sipas interesave më duket mua se po veprohet."


