Konfindustria: Të mblidhet urgjent Kuvendi e të zhbëhet Bordi i Naftës, kanë vendosur kartel
Konfindustria e ka konsideruar bordin e transparencës si një institucion të krijuar në konflik interesi dhe që përmes vendimeve synon të krijojë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit dhe jo të monitorojë situatën me çmimet e karburanteve në Shqipëri.
“Vendimet në thelb janë “taksë speciale shtesë” për bizneset dhe qytetarët, që rrit artificialisht të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe favorizon qartësisht kontrabandën masive të karburanteve”, - thuhet në deklaratë.
Madje nuk mungojnë as akuzat se vendimet njëpasnjëshme të bordit prodhojnë pasoja mjaft të rënda në afatgjatë të krizës ekonomike, falimentime masive, papunësi, emigracion dhe deri me rrezikun e cenimit të qëndrueshmërisë shoqërore dhe kushtetuese të shtetit.
Përmes këtyre argumenteve kërkohet mbledhje e jashtëzakonshme e kuvendit të Shqipërisë për të zhbërë bordin dhe për të themeluar ERRK.
“Sot nafta/diezel në Shqipëri është përkatësisht afërsisht 33% dhe 25% më e shtrenjtë sesa në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, që furnizohen në të njëjtat tregje ndërkombëtare. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë paguajnë 0.5-0.6 euro/litër më shtrenjtë naftën sesa shtetet e sipërpërmendura. Shqipëria, përpara rritjes së fundit të çmimeve, ishte vendi i 11 në renditjen botërore për shtrenjtësinë krahësimore të karburantit”, shprehet administrator i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku.
Sipas tij Gjysma e anëtarëve të bordit, që furnizojnë me të dhëna dhe janë pjesë e vendimmarrjes, përfaqësojnë pikërisht kompanitë, që duhet të jenë subjekt i vëzhgimit për spekulime në treg.

