Çudia në Fondin Shqiptar të Zhvillimit: 36 nga 39 kompani me çmim identik për dy tendera publikë

Në dy prokurime të Fondit Shqiptar të Zhvillimit shfaqet një fenomen i çuditshëm. 36 kompani japin një ofertë me vlerë identike. Madje vetëm tre subjekte kanë dhënë çmim të ndryshëm.

Tenderat e fondit shqiptar të zhvillimit sjellin një tjetër fenomen, nga 39 kompani pjesëmarrëse 36 japin të njëjtën ofertë madje edhe me presje dhjetore.

Rasti i parë është ai i “Shërbimi i mbikëqyrjes së punimeve për” Ndërhyrje në Muze dhe Monumente Kulture” me një fond në dispozicion prej 13 milionë e 104 mijë lekësh.

Të gjithë subjektet pjesëmarrëse kanë kërkuar 11 milionë e 916 mijë e 333 lekë, me përjashtim të një subjekti që kërkon rreth 900 mijë lekë më shumë.

Fondi i Zhvillimit për të arritur në përzgjedhjen e fituesit ka llogaritur pikët në bazë të dokumenteve që kanë dorëzuar duke shpallur fitues “CIVIL CONS”  që ka marrë 101.70 pikë duke u renditur i pari pavarësisht se e ka ofertën identike me 10 subjekte të tjera. Kjo kompani është krijuar në 5 janar të vitit 2018 me ortak Rezart Haxhiun.

E njëjta formulë ndodh edhe për prokurimin dua të luaj. Në të morën pjesë 28 kompani dhe vetëm dy kompani kërkuan 600 mijë deri në 1 milionë lekë më shumë se 26 të tjerat që ofertuan fiks 11 milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e tetëdhjetë e tre lekë. 

Edhe në këtë rast renditja është bërë me pikëzim duke u shpallur fituese kompania 4 KPPF e themeluar vetëm dy vite më parë konkretisht në maj të vitit 2020 ku aksioner edhe Fatri Petku.

Detyra do të jetë në rehabilitimin e monumenteve të kulturës në rastin e parë dhe në të dytin realizimin e parqeve për fëmijët në një sërë qytetesh të Shqipërisë.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.