Parashikime pesimiste, Civici: Çmimet do të vazhdojnë të rriten, shpresoj të kemi një situatë hidrike pozitive
Rritja e çmimeve duket se nuk ka ndërmend të ndalojë. Të gjitha parashikimet ekonomike flasin për një dimër të vështirë në rang global.
Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, thotë se kësaj rritje nuk do ti shpëtojë as Shqipëria.
Lajmi i mirë deri më tani mbetet fakti i mosrritjes së çmimit të energjisë dhe shpresës për të pasur një situatë hidrike pozitive në vijim, që do të amortizonte sadopak importin.
Civici: Gjithë parashikimet janë që situata e dimrit do të jetë akoma më e vështirë, sidomos për faktin e energjisë dhe çmimeve të gazit. Deri diku çmimi i naftës. Edhe tregu ushqimor pritet të jetë problematik. Njëkohësisht rritja zinxhir e kostove të prodhimit ka çuar në rritje zinxhir të gjitha shërbimeve dhe produkteve. Nuk ka më dallim mes produkteve.
Nëse dimri element kryesor të konsumit ka gazin, energjinë elektrike, naftën, natyrisht që çmimet e tyre do reflektohen zinxhir dhe në rritjen e çmimeve të tjera sidomos transportit dhe shumë shërbimeve. Në Shqipëri deri tani çmimin e energjisë nuk e kemi prekur. Shpresojmë të kemi situatë hidrike pozitive për të amortizuar sadopak importin. Të gjithë ndërtojnë strategjitë e tyre për të përballuar situatën ku eleminohen disa shpenzime "luksi", duke u përqëndruar te ato më jetiket.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Kostana Morava, Civici thotë se pasojat e inflacionit i aknë ndjerë më së shumti shtresat vunerabël dhe këtu ai sjell në vëmendje se 40% e popullësisë vijon të jetojë me 5 dollarë në ditë.
Civici: Natyrisht që jeta është bërë më e vështirë pothuajse për të gjithë kategoritë sociale në Shqipëri. Natyrisht ka një kategori ose grup më të vogël që e ndjen më pak, grupi që është me të ardhura më të mëdha, që janë më të pasur. 40% e popullsisë akoma vijojnë të jenë në nivelin e varfërisë relative me të ardhura 5 dollarë në ditë. Vështirësinë më të madhe e kanë krijuar këto 6 muaj, pas luftës në Ukrainë, me rritjen galopante të inflacionit, i cili nuk po njeh limite dhe në vendet e zhvilluara që kanë 30-40 vjet që nuk kanë njohur një situatë të tillë.
Natyrisht për vendet më të varfra, vendet në zhvillim ku futet dhe Shqipëria ndikimi dhe efekti është akoma më i madh. Aq më tepër që për shumë nga produktet kryesore ne jemi vend importues dhe natyrisht një rritje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare shoqërohet me një rritje çmimesh dhe në tregun tonë të brendshëm që përkthehet në një reduktim dhe kufizim të fuqisë blerëse dhe për pasojë dhe të konsumit.
Megjithëse krahasuar me vendet e rajonit apo dhe shumë vende të tjera kemi një nivel inflacioni më të ulët, por goditja që jep inflacioni është goditje e rëndë sidomos për familjet e varfra dhe familjet në vështirësi të cilat detyrohen të ristrukturojnë konsumin e tyre, të kufizojnë një pjesë të shpenzimeve apo konsumeve që bëjnë duke u përqëndruar kryesisht në nevojat bazë të tyre. Situata u duk se do ishte afatshkurtër, sidomos në fillim të 2022 ku u diskutua si efekt i post-pandemisë por konflikti ushtarak në Ukrainë e thelloi akoma më shumë këtë tendencë sepse sidomos kriza e energjisë.
Gazi, nafta, energjia elektrike nuk po njohin limite. Shqetësues është sidomos gazi që ka kufizime dhe pritet të ketë kufizime dhe gjatë dimrit çka do të bëjë që çmimet të vazhdojnë të rriten dhe shumë vende po bëhen gazi për të marrë masa nga më drastiket për kursimin e gazit, naftës dhe energjisë elektrike apo gjetjen e burimeve alternative për ti zëvendësuar sadopak që është e mundur deri te diskutimet për t'iu rikthyer energjisë bërthamore.
Qeveria njoftoi sot një paketë të dytë ndihme për shresat në nevojë, si ajo në muajt prill-maj-qershor.
Civici shpreson që ato të mos jenë modeste por efekti i tyre të shkojë direkt në shtresat më të prekura që po rritjen e çmimeve të shportës.
Civici: Është absolutisht e nevojshme të ketë paketa ndihmëse dhe mbështetëse. Paketat janë dy llojesh, sociale për shtresat në nevojë dhe ato për biznesin e ekonominë. Me rëndësi që këto paketa të realizohen, të mos jenë modeste dhe minimale por të jenë paketa që efekti i tyre të shkojë direkt në shtresat më të prekura që po vuajnë këtë situatë inflacioniste të rritjes së çmimeve, sidomos të çmimeve të shportës dhe konsumit bazë ku inflacioni për këto produkte është më i lartë se inflacioni mesatar që kemi në rang vendi.
