Rekord në Tiranë/ Në 6 muaj u dhanë 1.2 milionë metra katror leje ndërtimi

Sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në Tiranë ka arritur një nivel rekord në 6 muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në kryeqytet, për periudhën janar- qershor 2022 është dhënë një sipërfaqe prej gati 1.2 milionë metra katror, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas urbanistit, Gent Kaprata, plani rregullues i bashkisë Tiranë është një model i gabuar pasi kjo e fundit ka bërë një plan vetëm për godinat dhe jo popullsinë.

"Bashkia Tiranë nuk ka bërë një plan për qytetarët, për banorët por ka bërë një plan për godinat. Kjo është mënyra më e gabuar ose më e keqe e kontrollit të zhvillimit ndërtimor. Në çdo sektor të zhvillimit të Shqipërisë është implikuar modeli territorial shumë i gabuar, gati-gati kriminal që po ndërtohet në Shqipëri prej të paktën një dekade."

Sipas ekspertit, ky model po ndiqet prej të paktën një dekade. Sakaq sipas INSTAT, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi i korrespondon një vlere prej 42 mld lekë apo rreth 530 mln euro.

Lejet e dhëna në kryeqytet zënë 70% të totalit të tyre në gjithë territorin.