“Bordi jo transparent” Xhepa: S’mund të kemi çmime të administruara, të shkojmë drejt tregut të lirë

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, teksa ka komentuar situatën ekonomike në vend, tha se Bordi i Transparencë ka marrë vendime jo transparente, gjë e cila ka bërë që publiku të jetë skeptik.

Në një intervistë për Ora News, Xhepa u shpreh ndër të tjera se në vendin tonë nuk mund të vazhdohet me çmime të administruara por drejt tregut të lirë.

Xhepa theksoi se një treg që abuzohet dëmton interesat kombëtare e qytetare.

Selami Xhepa: Fakti që ka një perceptim të përgjithshëm, i bazuar në ecurinë e dinamikave të tregut të brendshëm të krahasuar me çmimet në bursa ndërkombëtare, të cilat kanë demostruar qartazi që “Bordi i Transparencës që nuk ka qenë i tillë, i cili nuk ka bërë transparencë.

Ka qenë një bord që ka marrë vendime por aspak transparente për publikun. Humbja e këtij besimi ka bërë që me të drejtë që një pjesë e madhe e shoqërisë të jetë skeptike. Çmimi i këtyre produkteve nuk përcaktohen nga forcat e tregut për arsye të pozitës dominuese që mund të ketë një operator ekonomik me këtë lloj produkti apo shërbimi.

Unë mendoj se meqenëse ne nuk kemi akoma konkurrencë të drejtë në këtë fushë, duhet menduar në afatin e gjatë se çfarë duhet të bëhet me këtë industri, me këtë lloj tregu.  Nëse kjo nuk bëhet, duhet  të shohim edhe alternativa që përdorin vendet fqinje.  Këto borde janë si bordi i energjisë. Unë jam me idenë se nuk mund të shkojmë  me çmime të administruara, duhet të shkojmë detyrimisht drejt tregut të lirë. Një treg që abuzohet i dëmton seriozisht interesat kombëtare e qytetare.

Ai tha se aktualisht qytetarët po konsumojnë pak ndërkohë që paguajnë një çmim shumë të lartë. Sipas Xhepës gjendja e varfërisë në Shqipëri është serioze ndërsa theksoi se të ardhurat shtesë në vendin tonë duhet të përdoreshin për të mirën e qytetarëve.

Selami Xhepa: Qytetarët po konsumojnë shumë pak dhe po paguajnë një çmim shumë të lartë. Mbi këto çmime të larta është e kuptueshme që arkëtimet që shkojnë në buxhetin e shtetit do të rriten.  Megjithëse duhet thënë se qeveria e Shqipërisë ka një mangësi serioze në botimin e të dhënave për statistikat sociale.

Panorama e varfërisë në Shqipëri është e rëndë serioze, më shumë se gjysma e popullsisë jeton në varfëri. Duke parë këtë gjendje sociale, bën sens që këtë barrë sociale të përpiqemi ta zbusim duke mbështetur këtë kategori sociale. Të ardhurat shtesë duhet të përdoreshin nga ana e qeverisë për të mbështetur varfërinë dhe për r’u marrë me borxhin publik.

Intervistoi Erisa Koçiasi, përgatiti Anila Kolgjini.