Energjia blihet me çmim të lartë, në kulmin e krizës rritet sasia e importuar nga jashtë vendit
Pikërisht në kohën kur çmimet e energjisë elektrike në bursa po prekin majat, qeveria ka rritur sasinë e blerë në bursa jashtë vendit. Por nga ana tjetër ka një përgjysmim të prodhimit në Hidrocentralet e administruara nga shteti dhe një qëndresë te privatët.
Alarmin e dhënë për situatën në Hidrocentrale e ka konfirmuar tashmë edhe INSTAT.
Nga periudha prill deri në qershor në Shqipëri është prodhuar 3.5 përqind më pak energji elektrike, ku vetëm një e treta ka ardhur nga Hidrocentralet publike.
Ndërkaq nga energjia diellore nuk është arritur të merret më shumë se 0.8 përqind e totalit të energjisë.
Por ajo çfarë të bën përshtypje është se pikërisht në kohën kur çmimet në bursat ndërkombëtare kanë arritur kulmin, importi është rritur me rreth 3 herë por shitja e prodhimit shqiptar jashtë territorit është përgjysmuar, duke rënduar buxhetin e shtetit.
Gjithashtu në kohën kur blerja në bursa është në pikën maksimale dhe prodhimi është në rënie edhe konsumatorët kanë shpenzuar më pak.
Në tre muaj konsumi ka rënë me 2 përqind ku më të shtrënguar kanë qenë pikërisht bizneset.
Nga kriza e rënies së nivelit në kaskada dhe të prurjeve në lumenj janë prekur vetëm institucionet shtetërore që kanë përgjysmuar sasinë e hedhur në rrjetin e transmetimit, e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, teksa privatët kanë mbajtur thuajse të njëjtin nivel të një viti më parë.
Po ashtu dhe investimet në rrjet kanë bërë që të bjerë niveli i humbjeve.
