Rama rikthen bastet sportive: Aktiviteti nuk ndaloi pavarësisht arrestimeve, do jenë vetëm online
Qeveria dorëzohet përballë presionit për hapjen e lojërave të basteve. Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se do të pranohet vetëm lejimi online dhe jo i pikave në lagje me monitorime. Vetë drejtuesit e sportit kanë theksuar se në mënyrë të paligjshme ka dhe lojtarë që luajnë deri në 30 milionë lekë në javë ndaj kërkuan administrim nga shteti.
Rreth tre vite më parë kryeministri Edi Rama u tregua i vendosur në mbylljen e pikave të basteve, madje duke mohuar çdo akuzë se heqja e tyre do të sillte lulëzimin e shpenzimeve të parave online duke larguar nga vendi fonde të konsiderueshme.
Tashmë janë përfaqësuesit e sporteve që kërkojnë rihapjen e tyre duke e parë edhe si një burim të ardhurash.
Ylli: Nuk ka asnjë kontroll, luhet edhe me 20-30 milionë në javë. T’i kontrolloj shteti dhe jo privati.
Duka: Nuk kemi bërë shpikje, baste luhen në të gjithë botën.
Të dhënat për arrestimet e basteve në të zezë, dhe makineritë e sekuestruara i ka zbuluar nëndrejtori i policisë Tonin Vocaj. Raporti tij në fakt u dha vetëm pak minuta pas shkarkimit të Gledis Nanos nga kreu i policisë.
Vocaj: Vetëm në këtë operacion janë arrestuar 80 administratorë lokalesh.
Vetë kryeministri Edi Rama theksoi se do të nisë dëgjesë publike për miratimin e ligjit, por serish kufizoi atë se çfarë do të lejohet.
Ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie pavarësisht arrestimeve dhe dënimeve. Ne nuk do të kthehemi tek sallat dhe batërdia e lojërave të fatit me makineta. Konsiderata e vetëm është ajo e basteve online.
Shqetësimin për lulëzimin e basteve online e ka paraqitur edhe drejtori i lojërave të fatit. Zhani Çako deklaroi se në vend funksionin 5 mijë salla lojërash.
Sipas tij kanë qenë vetë banorët e zonave të ndryshme që kanë denoncuar rastet ku janë bërë 150 procedime penale.

