Nuk na numërojnë dot/ Anulohet për herë të tretë censusi: Nuk u blenë tabletat

Përplasja mes interesave të ngushta ekonomike, për një tender me fond prej 2 miliard e 246 milion lekë të vjetra, ka sjellë dështimin për të tretën herë, të procesit të numërimit të popullsisë në Shqipëri.

Gjatë muajit Korrik, bëri të ditur anulimin e tenderit për blerjen e 8080 copë tabletave dhe baterive portative për shkak të ankimit të subjekteve që ishin pjesë.

Tenderi është fituar nga kompania “PC-Store” e biznesmenëve Elton dhe Vitator Mehmeti, duke ofruar shifrën prej 1 miliard e 696 milion lekë të vjetra.

Po Vendimi u kontestua në Komisionin e Prokurimeve Publike, nga dy kompanitë “Ligus” dhe “Infosoft”, të cilat rezultonin me oferta me të larta se oferta e dhënë nga subjekti fitues.

Në datën 22 korrik 2022, katër anëtarët e KPP-së Joanid Myzyri, Fiorent Zguro, Kreshnik Ternova dhe Anila Malaj, vendosën të anulojnë të gjithë praktikën e shpalljes së fituesit, duke detyruar INSTAT të rihapi sërish procedurën, duke përcaktuar kushte të reja garuese.

Pa blerjen e bazës teknologjike, INSTAT e ka pasur të pamundur zhvillimin e censusit të planifikuar në muajin tetor 2022, duke marrë vendimin për shtyrjen e këtij procesi në vitin 2023.

Kjo është hera e tretë që INSTAT, shtyn procesin e numërimit të popullsisë. Censusi ishte planifikuar të zhvillohet në vitin 2020, por fillimisht u shty prej situatës së krijuar nga pandemia e virusit “COVID”.

Ndërsa një tjetër shtyrje u krye për në vitin 2021 për shkak të zgjedhjeve parlamentare të muajit Prill, që u zhvilluar në Shqipëri.

Censusi parashikohet të zgjasë dy muaj dhe risi është përdorimi i 8080 copë tabletave që do shërbejnë për mbledhjen e informacionit në teren në kohë rekord.

Censusi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia ishte 2,821,977, me një rënie prej 8 për qind nga viti 2001.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.