Plagosje në Kurbin, qëllon me armë zjarri bashkëfshatarin pas konfliktit

Një konflikt për motive të dobëta mes dy bashkëfshatarëve ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit dhe për pasojë plagosjen e njërit prej tyre.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e sotme, 24 gusht, në fshatin Gjormë të Kurbinit.

I plagosur ka mbetur Rasim Tafa, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, Met Lika.

"Në fshatin Gjormë, Kurbin, rreth orës 20:15,  shtetasi M. L., 41  vjeç, banues po në këtë fshat, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, me bashkëfshatarin e tij, shtetasin R. T. 53 vjeç, e ka plagosur me armë zjarri 53-vjeçarin, i cili është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.

Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi M. L" njoftoi policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentinin ligjor të saj.