Rusët në Gramsh, Murrizi: Ish-uzina një rrangalle ku kullosin delet, më i rëndë rasti i zyrtarit me diplomatin për bursën e djalit
Gjykata e Elbasanit mbajti në burg dy ruset dhe ukrainasin e arrestuar pas incidentit në Uzinën e Armëve në Gramsh, më 20 gusht 2022 për të cilët prokuroria e Elbasanit dyshon se ishin në mission spiunazhi për llogari të shërbimeve sekrete ruse.
Ish-deputeti, Myslim Murrizi, në një intervistë për Ora News me gazetarin Sebastian Zonja thotë se është fakt që në vendin tonë ka një aktivitet të shërbimeve inteligjente të vendeve jomiqësore por nuk beson se është ky rasti.
Murrizi: Kur të mbarojnë hetimet, gjykata i ka lënë sot në burg ata. Nuk mendoj se është rasti i parë që Shërbimet e vendeve joaleate të NATO-s dhe jodashamirëse tona prej vitesh kanë qenë aktive në Shqipëri. Për katër vite kam qenë në Komisionin e Sigurisë dhe raportet e Shërbimeve kanë qenë edhe të detajuara për një aktivitet në rritje të shërbimeve të vendeve jomike me Shqipërinë ku përfshihet dhe Rusia. Kjo e uzinës së Gramshit, ish se aty tani është një rrangallë që gjithë ditën kullosin delet dhe gjithë natën hedhin valle qentë. Nuk e di çfarë mund të filmosh, ka ca mure të prishura. Por që janë aktive shërbimet e tyre është e vërtetë.
Në cilësinë e ish-anëtarit të Komisionit të Sigurisë, Murrizi thotë se e sheh më të rëndë rastin e publikuar nga vetë SHISH ku një nëpunës i shtetit i kërkonte ndihmë për djalin në shkollë një diplomati të një vendi jo mik.
Murrizi: Është shumë herë më i rëndë rasti i atij zyrtarit që i kërkonte ndihmë për djalin në shkollë atij diplomatit, shumë herë më e rëndë. Ai ka njëfarë aksesi duke qenë zyrtar i një niveli mbi mesatare, i pajisur me certifikatë sigurie që ka informacion të klasifikuar në dorë, ai është shumë herë më i rëndë sesa këta që bëjnë foto te kapanone të braktisura rrangalle të ish-uzinave apo ish-reparteve ushtarake tonat.
Ne kemi pasur 750 mijë bunkerë dhe nëse edhe ato do ti quajmë objekte ushtarake të rëndësisë së veçantë, sheh turistë që fotografojnë bunkerin dhe ti mendon që këta janë agjentë të mëdhenj kjo është tallje. Por kontroli i veprimtarisë së tyre të sofistikuara dhe përmes implikimit të zyrtarëve të shtetit shqiptar, kemi pasur 2-3 raste.
Në 2017-2018 kemi pasur një rast të një oficeri madhor në marinë. Këto duhen ndjekur jo fotografitë atje. Nuk besoj se do kishin harxhuar aq naftë për Ballsh se po të kishin nxjerrë në shpallje në një rrjet social që na duhen të gjitha fotot e Gramshit dhe paguajmë 10 euro për foto do kishin ardhur nxjerëz me furgon dhe gomerë nga Gramshi do kishin sjellë foto dhe do ishte bërë albumi nga kali i Skënderbeut te sheshi "Nënë Tereza". Fakti që objekti ruhet nga ushtarë pa armë do të thotë se nuk është më i rëndësisë së veçantë. Është një gërmadhë, nuk është aktiv.
Murrizi shton se loja e shërbimeve inteligjente kjo është dhe për hatër të tyre kanë lindur dhe pasaportat diplomatike për ti mbrojtur.
Ai nënvizon se e njëjta lojë bëhet në të gjithë botën edhe mes fuqive të mëdha, duke kujtuar se shërbimet ruse dhe amerikane kanë një raport spiunazhi të ndërsjelltë me njëri-tjetrin.
