Blushi i përgjigjet Kim: Mbështetim thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas deklaratave të diplomates amerikane Yuri Kim lidhur me hetimin e nisur nga SPAK për Ilir Metën, e cila deklaroi se kërcënimet dhe nxitjet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi në Shqipëri nuk duhet të pranohen më si "normale".

Në një postim në facebook, Blushi i bën të qartë ambasadores se SPAK re reformës në drejtësi kërcënimet i vijnë nga kryeministri Rama dhe jo Meta e Partia e Lirisë.

"Mbështetim të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë.

Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve".

 

Blushi thotë se Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar.

"I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: "SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti", sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj"përfundon Blushi.