Murrizi: PD të tregohet e prerë, mos të sillet më si ‘mirë me vjehrrën, mirë me burrin’

Ish-deputeti i PD-së, Myslim Murrizi, ka folur për situatën politike brenda PD.

Në një intervistë për Ora News, Murrizi tha se PD duhet të tregohet e qartë dhe të ndajë qëndrimin me ata deputetë që janë dhe do krijojnë grupin parlamentar më 5 shtator.

Ai tha se nëse nuk do bëhen ndryshime në Kryesinë e PD, vetë ai do e kundërshtojë ‘bashkëjetesën mes rivalëve’ brenda kësaj partie.

Murrizi: Në gjykimin tim PD, kjo pjesa që është shumicë, nuk duhet të sillet më si kënga e Artjola Toskës, ‘mirë me vjehrrën mirë me burrin, llafi mirë zbut dhe gurin’. PD duhet të ndajë qëndrimin me ata deputetë që janë dhe do krijojnë grupin parlamentar më 5 shtator. Duhet të mbledhë veten. Nëse i ka 25 dhe të bëjë ndryshime në Kryesinë e Grupit, nëse nuk i ka, i pari që nuk do e pranojë këtë lloj bashkëjetese do të jetë Myslim Murrizi, nëse nuk dëgjojnë do mbaj qëndrim.

Kjo nuk shkon më kështu as mish as peshk. Kryesia e PD, duhet të dalë t’u thotë demokratëve, se kush është dhe jo përfaqësues të PD-së. Kjo nuk është turp.  

Ndër të tjera ai shtoi: Uroj që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore për të sfumuar të fortët lokalë dhe të dalin me lista të hapuara. Me letra Basha vazhdon të jetë kryetar i PD-së. Nëse shiqptarët ua japin votën kujdo jam i detyruar të respektojë votën e shqiptarëve.

Sipas Murrizit vota e emigrantëve do ta trondit politikën shqiptare.

Murrizi: Vota e emigrantëve do ta trondit politikën shqiptare. Emigrantët nuk intimidohen për një roje apo për një thes mielli.

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti Anila Kolgjini.