Mirakaj: Meta e ka marrë pastërtinë e figurës në 1998, Autoriteti i Sigurimit s’ka të drejtë për veprime të mëtejshme
Ish i përndjekuri politik Simon Mirakaj, ka folur në lidhje me pretendimet ku thuhet se Ilir Meta figuron në Dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Në një intervistë për Ora News me Anila Zyberajn, Mirakaj tha se për të besuar një gjë të tillë duhet të bazohesh në fakte ndërsa shtoi se me inicialet I.M janë shumë njerëz.
Mirakaj theksoi se Ilir Meta ka marrë pastërtinë e figurës nga komisioni “Bezhani” në vitin 1998, ndërsa theksoi se Autoriteti i Sigurimit të Shtetit nuk ka të drejtë të bëjë veprime të mëtejshme.
Simon Mirakaj: Nuk di pse thuhet dosja Ilir Meta. Ka qenë një email që ka ardhur me inicialet I.M dhe me këto iniciale ka shumë. Për të besuar për atë që thuhet duhet të jesh i besuar në fakte.
Në 1995 ka qenë një komision dhe në 1998 u krijua një komision tjetër me në krye Bezhanin. Partitë politike listën e deputetëve i paraqiste në këto komisione. Në këtë listë figuronte dhe Ilir Meta, që kishte marrë pastërtinë e figurës nga ky komision. Sipas ligjit thuhej kur një person ka marrë nga ky komision pastërtinë figurës, Autoriteti i Sigurimit të Shtetit nuk ka të drejtë të bëjë veprime të mëtejshme. Askush nuk mundet të kërkoj dhe të verifikoj dosjen e një personi tjetër përveç se personit.
Ndër të tjera ai tha se vendi ynë nuk është shkëputur ende nga komunizmi duke theksuar se diskutimi për ish-dosjet e sigurimit në një kohë të tillë është fatkeqësi.
Simon Mirakaj: Ne nuk jemi shkëputur ende nga komunizmi. Të diskutosh sot për dosjet e ish-sigurimit, për mua është fatkeqësi, por megjithatë më mirë vonë se sa kurrë. Por nëse ligjet ndryshojnë për të ‘i shërbyer demokracisë është mirë, por nëse ligj aprovohet për t’i shërbyer partisë është fatkeqësi.
Një ligj që të ketë jetëgjatësi duhet të aprovohet me konsensus. Nëse nuk shkëputemi nga e kaluara do të kemi një thellim të këtij hendeku mes dy palëve.
Përgatiti Anila Kolgjini.
