Në derë të Bashkisë për drejtësi, banorët thirrje Veliajt: Mos guxo t’i prishësh shtëpitë!

Banorët e 4 lagjeve të cilët preken nga rindërtimi dhe projekti i Unazës  kanë zhvilluar një protestë poshtë zyrës së kryetarit të bashkisë Erion Veliaj. Ata kanë kërkuar edhe një herë drejtësi që banesat e tyrë të mos shemben pasi do të hasin në rezistencë.

Në oborrin para bashkisë së Tiranës banorët e Paskuqanit, 5 Majit, Laprakës dhe Kodrës së Priftit u mblodhën duke i bërë edhe një herë thirrje kryetarit të bashkisë së Tiranës që të mos i prekin banesat e tyre.

Banorët, banesat e të cilëve parashikohen të shemben, shprehen se kryetari i bashkisë Erion Veliaj po vijon të gënjejë për kompensimin e banesave.

Bled Marku: 70 mln euro u kanë dhënë incineratorët. Mund të bliheshin 875 apartamente për njerëzit dhe këtu nuk do kishte protestë fare. Ka korrupsion në gjykata kur vjen puna te bashkia. I bëj thirrje  Veliaj dhe Ballukut që të reflektojnë, mos të shkaktojnë viktima. Na ka dalë kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli, duke shpërndarë në Babrru dhe Paskuqan një aktmarrëveshje bastarde.

I thotë një familje me katër kurorë do të marr 400 metra katrorë banesë të ndërtuar tash 30 vjet dhe do të jap 56 metra katrorë se kemi një VKM të 15 qershorit 2020. Nuk thotë as ku do ta marrësh as kur do e marrësh. Dhe kjo banesë që do marrësh do jetë një banesë sociale dhe jo e jotja. Nesër mund ti shërbejë një çifti të ri se ndryshojnë politikat sociale.

Janë 70 mijë banesa që do shemben, 40 mijë janë në Tiranë.Njerëzit duhet të jenë këtu, ta kundërshtojnë këtë palaço që vetëm metra katrorë sa ka dhënë për pallate po të merreshin banesa sociale i thonë 580 apartamante nga 100 metër katrorë secila. Kemi një SPAK që nuk vepron.

Duhet me u shkund dhe SPAK? Lapraka, Paskuqani, Babrruja, kanë depozituar në SPAK kallëzim penal për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lamen, Ballukun, gjithë horrat qeveritarë. SPAK nuk ka bërë asgjë, ja ka kaluar prokurorisë së Tiranës, e kanë cilësuar si zyrtar të dorës së tretë kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Ata shprehen se pronat e tyre do ti mbrojnë me jetë.

"Ka një vit e ca që mblidhemi, mundohemi të reagojmë dhe ky gjallesa jo vetëm nuk reagon por del dhe bën show. Unë e kam humbur shpresën te ky njeri, se duhet të jetë njeri që të shpresosh te dikush. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj. 5 Maji ka një vit, nga ato që janë prishur asnjë nuk është strehuar.Këta njohin vetëm frikën dhe për të njohur frikën duhen kapur për veshi.Nuk e di si do reagoj kur të më vijnë te shtëpia ime por sido që të reagoj për familjen dhe shtëpinë jam i justifikuar."

Banorët, të cilët preken nga Unaza e Madhe por edhe nga rindërtimi, i kërkuan drejtësisë që të veprojë mbi pushtetarët pasi ata kanë prova dhe fakte që prona e tyre po grabitet në mënyrë të kundraligjshme.