Berisha në Dibër: Shqipëria, vasale e Beogradit

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të martë një takim  me banorët e Dibrës, ku akuzoi qeverinë Rama se po kthehet në një vasale të Serbisë.

Berisha: Përveç 1945, Shqipëria është më vasale se kurrë ndaj Beogradit. Të vjen turp kur sheh se qeveria jote është bërë një zëdhënëse, një shtojcë e qeverisë së Beogradit. Një Beogradi që dëshmon armiqësi absolute ndaj shqiptarëve. Ky është më i rrezikshmi në Europë pas Vladimir Putin, ky është Putin i vogël, është po kaq agresiv, po kaq paranojak, por nuk ka armët e Putinit dhe ia thanë edhe gjeneralët e tij, se i mblodhi në shtab në datën 1 gusht dhe gjeneralët i thanë për 4 orë kemi NATO-n mbi kokë po lëvizëm.

Duke u referuar largimit masiv të shqiptarëve, Berisha theksoi edhe njëherë se vendi është në rrezik.

Berisha: Këto 8 vite asnjë komb tjetër nuk ka humbur pjesëtarët e vet sa çi kemi humbur ne shqiptarët.

Sipas tij, pasuritë natyrore që ka Shqipëria shfrytëzohen nga oligarkët.

Berisha: Ne jetojmë në një vend me pasuri të mëdha por pasuritë e këtij vendi janë shndërruar në mallkim për ne. Në vend që të pasurojnë qytetarët, pasurojnë qeveritarët.

Ish-kryeministri u ndal edhe te projekti i kundërshtuar nga banorët e Dibrës, HEC-i i Skavicës.

Ai tregoi se ka pasur një projekt të tillë që në 2005-ën, por nuk e ka realizuar pasi për të ka qenë i pararealizueshëm.

Berisha: Më vjen një kompani italiane, njëshi i ndërtimeve të HEC-ve në Itali, nga më seriozet. Më thonë, zoti kryeministër ne kemi kontratën të firmosur me Fatos Nanon për të ndërtuar HEC-in e Skavicës. I them, kontratën e ke, por unë me shumë keqardhje asaj kontrate nuk mund t’i qëndroj kurrë.

Para bashkëbisedimit me banorët e Dibrës, kreu i Partisë Demokratike ka vendosur kurorë me lule në monumentin 'Elez Isufi' & 'Isuf Xhelili'.