Policia e Shkodrës për drejtorin e AKU-së: E lamë të lirë pasi i morëm deklarimet
Pasi drejtori i AKU-së Shkodër, Gjergj Sokoli, u shfaq në zyrën e tij këtë pasdite ndërsa policia në një deklaratë për mediat më herët deklaronte se e ka shpallur në kërkim, ka ardhur dhe reagimi i kësaj të fundit.
Përmes një informacioni shtesë, blutë e Shkodrës sqarojnë se "shtetasi Gj. S., me detyrë Drejtor i AKU, Shkodër, i shpallur në kërkim policor, është vetëparaqitur në ambientet e DVP Shkodër. Pas deklarimeve të dhëna, ky shtetas është lënë i lirë".
Paraqitjen në polici e konfirmoi vetë Sokolui në deklaratën për mediat duke thënë se sapo ishte informuar nga instancat përkatëse ai ishte paraqitur në komisariat mëngjesin e kësaj të marte.
Ndërsa pak orë më vonë përmes mediave ai do njoftohej se është në kërkim. Mesa duket policia është nxituar në komunikatën për mediat lidhur me operacionin që zbuloi pularinë që shiste vezë të pakontrolluara për cilësinë, nën logo të markave të njohura.
Vetë drejtori i AKU mohoi të ketë shkelur ligjin dhe tha se subjekti në fjalë nuk ëhstë nhë juridiksion të AKU pasi nuk ka NIPT aktiv.
