Pushimet drejt fundit/ Ikin turistët, nis fluksi në dalje të Shqipërisë
Turistët që zgjodhën Vlorën për pushime, por edhe cilët erdhën në atdhe tashmë po kthehen në vendet e tyre të jetesës.
Kthimi i emigrantëve në vendet e punës, ka bërë që të shtohet fluksi në dalje në portin e Vlorës.
Fundjava duke filluar nga e premtja në mbrëmje ka shënuar fluksin më të lartë në shifrat dalëse teksa i njëjti trend ka vijuar edhe përgjatë të hënës dhe të martës.
Duke filluar nga dita e premte në mbrëmje dhe duke marrë në referencë edhe shifrat e ditës së hënë kanë dal nga porti i Vlorës 8672 pasagjerë si dhe 1733 mjete të vogla me dy tragetet e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë.
Teksa po në të njëjtën periudhë kohore kanë hyrë në portin e Vlorë 2850 pasagjerë si dhe 586 mjete të vogla.
Numri më i ulët i pasagjerëve në hyrje në portin e Vlorës sinjalizon faktin se pushimet tashmë kanë përfunduar, me fundin e gushtit i cili vit për vit, shënon shifra të larta në dalje, duke ndryshuar sensin e lëvizjes së turistëve në krahasim me javët e para të tij.
Numri i mjeteve të mëdha të transportit, këto ditë kanë qenë tepër të ulëta për shkak se tragetet e linjës janë shfrytëzuar për transportin e pasagjerëve dhe automjeteve dhe kanë qenë në kapacitet të plotë.
Nga informacionet deri në fund të javës do të jetë i njëjti trend i pasagjerëve në dalje, pasi ka shumë kërkesa për bileta tragdeti në ditët në vijim.
Gjithashtu bëhet me dije se duke filluar nga mesi i muajt korrik, tragete e linjës Vlorë-Brindisi Vlorë kanë realizuar dy udhëtime çdo ditë, teksa sportelet në portin e Vlorës janë dyfishuar. për të shmangur radhët në port.
