Përkujtohen viktimat e komunizmit në Maliq
Me lule në duar e me dhimbje në zemër familjarë të viktimave të cilët vuajtën dënimin politik ne tharjen e Kënetës së Maliqit kane përkujtuar masakrën e diktaturës. Një kujtesë e cila nuk duhet të harrohet asnjëherë nga brezat që vijnë si një dëshmi e gjallë e atyre personaliteteve dhe të dënuarve të cilët vuajtën pa pasur asnjë faj.
Tufat me lule janë përkujtim për viktimat e regjimit komunistë. Familjarët përkujtuan viktimat e një gjyqi të montuar të njohur si rasti i Kënetës së Maliqit. Në ditën evropiane të përkujtimit të viktimave të sistemit totalitar, të pranishmit thanë se duan ta njohin të shkuarën për të ndërtuar një të ardhme me të mirë.
“Për të rinjtë për të marrë vesh, për të kuptuar se çfarë ka qenë e shkuara për të ndërtuar të ardhmen."
Ylber Merdani ish i persekutuar politik tha se krimet e komunizmit janë të pashlyeshme në memorien e të gjithë atyre që përjetuan një ndër regjimet më të egra në Evropë.
“Ata janë të shkruar në shkëmbinjtë e nacionalizmit me germa të arta në shkëmbinjtë e antikomunizmit dhe do të rrojnë në përjetësi. Ne betohemi se do të ndjekim me besnikëri rrugën e tyre.”
Për tharjen e kënetës së Maliqit kanë punuar më shumë se 1800 të dënuar politikë dhe më shumë se 63 vdiqën duke u kthyer në martirë të diktaturës së egër totalitare.
