Në 1 muaj nga gjykata Elbasan ikën 3 gjyqtarë, Miranda Konica refuzoi të përballet me “Vettingun”, dorëhiqet nga sistemi

Gjykata e Elbasanit, kohët e fundit ka qenë një nga institucionet më të polemizuara, ku brenda një kohe 1 mujore nga radhët e saj janë larguar 3 gjyqtarë.

Pas pezullimit të Taulant Tafës dhe Zamira Vyshkës, gjyqtari i fundit që ka ikur nga rradhët e trupës gjykuese të kësaj gjykate, ka qenë Miranda Konica (Çekrezi).

Ora News mëson se kjo e fundit ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkesën për dorëheqje nga sistemi gjyqësor, kërkesë e cila është miratuar në datën 27 korrik të vitit 2022.

Më largimin e Miranda Konicës, numri i gjyqtarëve që munguan gjatë muajit korrik ka qenë tre, duke futur këtu edhe pezullimin e gjyqtarit, Taulant Tafa dhe Zamira Vyshkës, ndaj të cilës SPAK vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Konica, është një gjyqtare mjaft e përfolur në Elbasan, ku vendimmarrja e saj ka qenë e polemizuar në shumë raste.

Por me sa duket përballja e saj me procesin e “vettingut” ka qenë shkaku kryesor që ka detyruar gjyqtaren të japë dorëheqjen përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, ku ka shërbyer për shumë vite.

Konica, futet në kategorinë e gjyqtareve me “njollë” në biografinë e profesionit të gjyqtares.

Në 17 maj 2014, ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço urdhëroi nisjen e procedurave për shkarkimin e gjyqtares Miranda Çekrezi.

Në atë periudhë Naço gjatë një inspektimi konstatoi se ndaj gjyqtares Miranda Çekrezi, me vendimin nr 279, datë 16 shtator 2011 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është dhënë masa disiplinore “Vërejtje”.

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, pikërisht për këtë shkak gjyqtarja Miranda Çekrezi, e cila ka shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të një gjyqtari me inicialet Gj.Gj, ka qenë në konflikt të hapur interesi dhe për këtë arsye ajo duhet të hiqte dorë nga kjo çështje dhe të mos e gjykonte rastin e gjyqtarit Gj.Gj.

Sipas të dhënave vendimi i vitit 2011 i marë nga KLD duke caktuar masën disiplinore “Vërejtje”, është ankimuar nga Çekrezi në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Kjo çështje është gjykuar pikërisht nga gjyqtari Gj.Gj, duke pranuar në 9 dhjetor 2011 padinë e Çekrezit, dhe hequr masën disiplinore “Vërejtje” ndaj gjyqtares.

Por disa vite më vonë në 2014, Çekrezi në gjykatën e Elbasanit ka marë në shqyrtim çështjen penale ndaj gjyqtarit të Apelit Tiranë, Gj.Gj, duke refuzuar kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të tij.

Kjo është një ndër gjetjet flagrante që KPK-ja ka konstatuar në dosjen e Miranda Çekrezit, e cila në këtë rast duhet të jepte doreheqjen për shkak të konfliktit të interesit me subjektin që kishte në shqyrtim.

Por përballjen me KPK-në, gjyqtarja Miranda Çekrezi nuk e realizoi, pasi vendosi të japi dorëheqjen plotësisht nga sistemi gjyqësor.