Tregu pa njerëz në Bulqizë/ Emigracioni masiv dhe varfëria lënë bosh tregun në Shupenzë

Emigracioni masiv dhe varfëria, po ndikojnë negativisht në shumë fusha të jetës në Shqipëri. Në Shupenzë të Bulqizës, tregu që dikur kishte me qindra blerës, tanimë nduket i boshatisur, ndërsa ata pak fermerë e bujq që kanë mbetur thonë se qeveria nuk ka ofruar asnjë ndihmë për ta.

Këto pamje vijnë nga tregu i Shupenzës në Bulqizë. Pak vite më parë, këtu kishte me qindra blerës e shitës. Sot, ky treg tanimë është i boshatisur nga konsumatorët. Tregtarët thonë se emigracioni masiv, ka bërë që shitjet të ulen në mënyrë drastike.

“Ku me gjet tregun e shitjes, tregu i shitjes bëhet me njerëz. Nëse nuk ka njerëz, nuk ka punë shërbime e asgjë.

“S’ka fare”

“Kanë ikur njerëzit, kanë ngelur vetëm pleqtë”

“S’ka Pazar, dalim e ngrohemi në diell.”

Varfëria, është një tjetër shkak për mungesën e blerësve.

“ Kjo gjendje ka ardhur nga fukarallëku, nga emigrimi. I kanë lënë tokat djerrë”

Fermerët dhe buqit, thonë se ndihmën e shtetit nuk e kanë parë në asnjë moment.

“Zero shërbim, zero investim. “

“Ka ikur rinia, s’ka më shtet”

“Nga ura e Shupenzës e lartë, s’na ka parë njeri, a jemi gjallë apo jo.”

“Shteti nuk ka ndihmuar as nuk ndihmon, ikën njerëzit.”

Emigracioni masiv që ka përfshirë vendin tonë gjatë viteve të fundit është ndjerë në pothuajse çdo fushë të jetës, ndërsa më të prekur nga ky fenomen janë zonat periferike të vendit.