Vijojnë punimet/"Arnohet" parku "Rinia", i gjithë territori jashtë funksionit

Prej 1 qershorit të vitit 2020 kur parku "Rinia" u inagurua e deri më tani, tenderat e dhënë nga bashkia e Tiranës për reabilitimin e kësaj hapësire nuk kanë të ndaluar. Këtë të hënë, 22 gusht 2022, e gjithë hapësira është nxjerrë jashtë funksionit si pasojë e punimeve të nevojshme që po kryhen pasi mesa duket ndërhyrjet e mëparshme kanë qenë të cunguara. Pjesa e lodrave, e cila ka kushtuar në buxhetin e qytetit, tashmë është hedhur e gjitha në tokë.

Parku "Rinia" mbetet i pashfrytëzueshëm për qytetarët e kryeqytetit, ndërkohë që prej dy vitesh duket se nuk kanë fund paratë që hidhen nga bashkia e Tiranës për restaurimin e tij.

Tashmë e gjithë hapësira është jashtë funksionit si pasojë e punimeve.

Këndët e lojrave për fëmijët janë hedhur në tokë për të rehabilituar shtresat poshtë tyre.

Vlera e punimeve që po kryhen aktualisht kap shifrën e mbi 4 milionë lekëve të reja.

Shiritat që rrethonin vetëm këtë zonë tashmë janë zgjeruar, ndërsa si të mos mjaftonin këto, copëzimi i parkut vazhdon edhe më tej.

Në terrenin ku janë shpenzuar mbi 1 miliardë lekë herën e parë, tashmë janë hapur gropa me vlerë 35 mijë euro për krijimin e sistemit vaditës.

Pamja e tanishme e parkut në qendër të Tiranës është ajo e një vepre publike të arnuar.