Kanalet pastrohen për fushata, banorët në Vlorë: Po na hanë të gjallë mushkonjat, të marrin masa!

Kanali i ujërave të zeza i njohur si "Kanali i Bishtit të Kalldrëmit" i cili përshkron mes për mes lagjen "Hajro Cakërri" vijon të mbetet i papastruar.

Banorët e zonës tregojnë se situata vijonë të mbetet e tillë prej një viti. Koha e fundit që kanali në fjalë u pastrua sipas banorëve ishte në muajin mars të 2021, kohë e fushatës elektorale në vend.

Prej atëherë, sipas banorëve të zonës asnjë masë nuk është marrë për pastrimin e tij.

"Nuk është pastruar fare."

"Do pastruar shpesh herë."

Era e pakëndshme, papastërtitë dhe insektet e shumta mbeten shqetësimi më i madh i banorëve të zonës, të cilët kërkojnë zgjidhje.

"Janë shumë shqetësuese, pisllëk i paparë."

Banorët tregojnë se nuk dalin dot nga shtëpia pasi i merr frika të përballen me papastërtitë që ka zona teksa sipas tyre kanali i ujërave të zeza, i cili gjendet tek pragu i derës është kthyer tashmë në vatër infeksioni për banorët e zonës.

"Po na hanë të gjallë, të paktën një herë në vit të pastrohet".

Kanali i Bishtit e Kalldrëmit bën të mundur transportimin e ujërave të zeza dhe ujërave të bardha të shiut nga zona e Kaninës, duke kaluar në disa lagje të qytetit për të bërë më pas derdhjen e tyre në hidrovorin e Vlorës.