Protesta për 7-vjeçaren që u vra me skaf, qytetarja: Kësaj i thonë me të vra e mos me të lan me kja

Ashtu siç dhe ishte paralajmëruar qytetarët janë mbledhur në protestë tek Ministria e Brendshme në vijim të protestës së mbajtur 2 ditë më parë.

Qytetarët u shprehën se kërkojnë dorëheqjen e Çuçit, Kumbaros dhe Nanos. Sipas tyre ajo çfarë duhet të bëjë është të mbajnë përgjegjësi për ngjarjen.

 Një protestuese u shpreh se po kërkojnë drejtësinë pasi shteti nuk e jep atë.

 “Unë vij nga Shkodra. E ndjej përgjegjësi personale familjare si nënë e dy fëmijëve të isha sot këtu dhe të kërkoj shkarkimin e përgjegjësve të asaj që ndodhi me Jonadën. Drejtësinë e kërkojmë ne sepse shteti nuk jep drejtësi. Kumbaro dha shembull se si duhet të hidhen mbeturinat, po në rastin e Jonadës, Kumbaro a ke ndonjë shembull për të dhënë. Shembulli i parë që duhej të jepje është dorëheqja jote sepse ke dështuar me turizmin. Keni vrarë një vajzë 7 vjeçare. Çuçi dhe drejtori i policisë dolët dhe thatë se kemi sezon të sigurt turistik por dështuat. Nëse nuk menaxhoni vartësit tuaj si do të menaxhoni popullin. Ju duhet të jepni dorëheqjen. Ne do të vazhdojmë të vazhdojmë të drejtën. Ju me heshtjen tuaj e keni vrarë për herë të dytë vogëlushen. Presidenti sapo hyri në presidencë  filloi pushimet. Ne në Shkodër kemi një proverb që i shkon mirë kësaj ngjarje. Kësaj i thonë me të vra e mos me të lan me kja”

Një tjetër qytetar tha se gjithmonë do të marrë pjesë në protesta që përfaqësojnë kauza të tilla.

“Është hera e dytë që vij në protestë isha dhe herën e parë. Sa herë të bëhen protesta për këtë kauzë do të dal sepse është një ngjarje e paralajmëruar. Nuk është marrë asnjë masë. Kërkesat janë që të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata të cilët e kanë pasur për detyrë të ruajnë rendin dhe sigurinë në bregdet dhe kudo. Është ndarë nga jeta një fëmijë 7 vjeçar. Këta janë të paaftë të bëjnë detyrën duhet të japin dorëheqjen dhe të mbajnë përgjegjësi. Të japi dorëheqje kushdo që ka pasur përgjegjësi, të marri detyrën ai që di ta bëjë këtë punë. Çdo protestë për çdo lloj padrejtësie do të je mi pranishëm.”