Lyhet me gjak Ministria e Brendshme, i afërmi i 7-vjeçares: Tani Jonada i ka gjithë shqiptarët prindër, është amaneti juaj
Qytetarët u rikthyen në shesh mbrëmjen e së hënës, 8 gusht, për të vënë para përgjegjësisë ministrat Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaron si shkaktarë të vrasjes tragjike të së miturës Jonada Avdia në Huimarë nga efektivi i lartë i Policisë së Shtetit.
Në mungesë të përfaqësuesve të opozitës, bashkë me qytetarët, protestës iu bashkuan edhe dhjetëra fëmijë, të cilët mbajtën në duar parulla të veçanta.
Teksa u zhvendosën pranë Ministrisë së Brendshme, protestuesit në mënyrë simbolike lyen me ‘gjak’ muret e godinës e institucionit që drejtohet nga Bledi Çuci, duke e vënë nën akuzë këtë të fundit për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia.
"Ky është ‘gjaku’ që do ta hedhim në muret e ministrisë sepse jeta e të vrarëve, jeta e shqiptarëve të vrarë, që po vriten përditë është përgjegjësi e kësaj ministrie dhe nuk mund ti shmangen kurrë", tha njëri nga protestuesit që më pas lyen muret e Ministrisë me bojë te kuqe.
Pas këtij akti fjalën do ta merrte një i afërm i vogëlushes që humbi jetën një javë parë në plazhin e Potamit në Himarë, i cili në emër të familjes Avdiaj vendosi që t’ua lërë amanet kujtimin e Jonadës.
Unë jam i afërm i vajzës, kushëri i dytë i Jonadës dhe kushëri i parë i nënës së Jonadës.
“Tani Jonada i ka gjithë shqiptarët prindër, është amaneti juaj në daç mbajeni në daç jo. Është amaneti i gjithë shqiptarëve.”
Ashtu siç bënë edhe të premten, protestuesit marshuan në heshtje drejt godinës qeveritare, aty ku u ulën këmbëkryq në shkallët e Kryeministrisë.
Madje ata do ti telefonin para kamerave drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, i cili dëshmoi se nuk është i gatshëm të dëgjojë zërin e shqiptarëve.
