"Pse nuk bllokohen makinat kur ndodhin aksidente?"Pronarët e motorëve të ujit në Durrës kundër bllokimit të aktivitetit
"Ndodhin dhe aksidente rrugore, pse nuk i bllokojnë makinat me qira kur ndodhin aksidente? Një rast është, njëra është në det, njëra është në tokë. I bie të pezullohen të gjithë makinat!"
Pronarët e motorëve të ujit në Durrës kërkojnë rihapjen e biznesit të bllokuar që pas tragjedisë së Himarës, ku efektivi Arjan Tase përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia në bregun e Potamit.
U mblodhën para Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Emigracionit paraditen e të hënës ku e morën dhe një përgjigje: Urdhri erdhi nga lart!
Pronari: Kush e ka dhënë këtë urdhër?
Polici: Urdhrin e ka dhënë Drejtori i Përgjithshëm dhe Kryeministri.
Këta sipërmarrës thonë se i kanë mjetet e tyre me dokumentacion të rregullt, paguajnë taksa e mbajnë punonjës me paga.
Pezullimi i aktivitetit i ka penalizuar dhe nuk ka bazë ligjore. Asnjë shkresë nuk u ka ardhur që të kenë mundësi ankimimi.
"Dëgjojmë në media motorat, motorat. Lacat me varësi floriri. Por ne këtu jemi të gjithë familjarë, njerëz që respektojmë ligjin, paguajmë të gjithë taksa si çdo biznes i rregullt. Vetëm ne po penalizohemi, asnjë biznes tjetër. Ata që bëjnë dëmin vazhdojnë lundrojnë, ne penalizohemi."
Duke ju referuar ngjarjes tragjike të Himarës, drejtuesit e motorëve të ujit me vite operimi në treg pretendojnë se gjatë aktivitetit të tyre kurrë nuk ka pasur aksidente, ndërsa sot që ata protestojnë skafet private lejohen të qarkullojnë.
"Gjithë aksidentet që ndodhin në jug ndodhin për karagjozlliqe, jo për hallexhinjtë, punëtorët që janë mbledh këtu për bukën e gojës."
Një ditë më parë dhe bizneset e Shëngjinit dhe ato të Vlorës protestuan kundër pezullimit të punës dhe gjithashtu ngritën pretendime se lundrimet janë bllokuar në mënyrë selektive.
Autoritetet thonë se po verifikojnë dokumentacionet e tyre dhe nuk kanë lënë afat se kur mund të përfundojë ky proces.
