“Tragjedia e Himarës rast i paralajmëruar”, Çepani: Protesta është reagimi dhe zëri i qytetarëve

Pas vrasjes tragjike të Jonada Avdia në Himarë,  ka një reagim dhe sensibilizim qytetar. Sot (8 gusht 2022) në orën 19:30 do të mbahet protesta e radhës e mbështetur nga opozita .

Edlira Çepani, aktiviste e shoqerisë civile gjatë  një interviste për RTV ORA me gazetaren Besmira Palushaj  u shpreh se ngjarja e Himarës ishte një rast i paralajmëruar që për fat të keq përfundoi në tragjedi.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas saj një ngjarje e tillë tregon paaftësinë e një strukture të  tërë.

Edlira Çepani: Ishte një rast i paralajmëruar që për fat të keq përfundoi në tragjedi. Asnjëherë thirrjet për kushte pasigurie nuk janë dëgjuar. Duhet të ishin marrë masa më serioze për kontrollin e bregdetit. Ishte një tragjedi që na preku të gjithëve, me masat e duhura mund të ishte parandaluar. Përtej masave që merren në mënyrë propagandistike, masat nuk merren në mënyrë konstante. Kjo tregon paaftësinë e një strukture të  tërë. Fatkeqësisht në pushimet e mia jo vetëm këtë vit por dhe vitet e shkuara gjysma e kohës me shkon duke marrë policinë në telefon duke denoncuar raste që rrezikojnë jetën e pushuesve.

Sakaq sa i përket dorëheqjes nga ana e ministrave Çepani tha se krahas saj duhet të merren dhe masa.

Edlira Çepani: Dorëheqja është hap që, në të gjitha vendet e botës në raste të tilla fatkeqe, jepet dorëheqje e funksionarëve të lartë. Nuk duhet vetëm një dorëheqje duhet të merren masa të mos ndodhin më ngjarje të tilla. Kemi fëmijë që po humbin jetën për shkak të gabimeve të forcave të policisë të cilat ishin të parandalueshme.  Qytetarët nuk kanë në dorë asgjë më shumë sesa të protestojnë dhe të ngrenë zërin e tyre. Protesta për qytetarët është momenti i fundit ku detyrohen të dalin në rrugë e të ngrenë zërin për një padrejtësi. Në momentin që institucionet nuk menaxhohen në mënyrën e duhur mundësia e fundit e qytetarëve është që të dalin në shesh. Kohët e fundit qytetarët kanë dalë në shesh për shumë problematika por nuk janë dëgjuar. Protesta është reagimi dhe është zëri i qytetarëve për ato gjëra që gjëra që nuk shkojnë dhe duhen rregulluar. Qytetarët shqiptarë kanë treguar se po reagojnë në mënyrën e duhur dhe me aq sa kanë mundësi.  

Protesta e sotme është protesta e dytë që do të zhvillohet për ngjarjen tragjike të ndodhur në Himarë më 2 gusht 2022 ku një 7-vjeçare humbi jetën  pasi u godit nga skafi që drejtonte efektivi i policisë Tase.