Zjarri i madh në Selenicë, ministri Peleshi apelon banorët pranë vatrave që të evakuohen

Marrë shkas nga situata e rëndë nga zjarret në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u bën thirrje banorëve që janë pranë vatrave të zjarrit të evakuohen në rast se kjo u kërkohet nga autoritetet.

"Zjarri ka ardhur nga lart. Ishte era që nuk e ndihmoi. Janë bërë dëme të mëdha, janë djegur 3-4 shtëpi, ullinj. Banorët, policia, zjarrfikësit të gjithë kanë luftuar me flakët. Shyqyr që erdhi helikopteri, mund ta zgjidhë atë punë. Ajo pjesa lart është e rrezikshme" tregoi një banor në Selenicë.

Ndërsa Prefekti i Vlorës, Flamur Manaj, tha situata është në kontroll.

"Situata është në kontroll pas ndërhyrjes së 5 zjarrfikëseve dhe me ndërhyrjen e helikopterit nga ajri. Janë tre banesa të djegura të pabanuara, shpresojmë të mos kemi dhe dëme të tjera në banesa".

Kushtet atmosferike, era e fortë në disa raste po vështirësojnë punën e forcave operacioneve në terren, në përballje me zjarret.

Në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë veç zjarrfikësve, po ndërhyn nga ajri helikopteri i Forcës Ajrore.

Nga toka dhe nga ajri po punohet edhe në fshatin Mal Bardhë,në Kurbin.

Efektivë të FA janë angazhuar për shuarjen e flakëve në fshatin Vilzë e Bërdicë të Shkodrës, apo edhe në Lam i madh, Bashkia Mat.