Angoni dhe Spahia "përplasen" në deklarata për kordinimin e zjarreve, por vlerësojnë zjarrfikësit: Kanë bërë punë heroike

Zjarret në qarkun e Shkodrës kanë përplasur në deklarata prefekten e Shkodrën dhe kryebashkiakun demokrat.

Majlinda Angoni u ankua para mediave për moskordinim me bashkinë. Nga ana tjetër Bardhi në përgjigje të saj tha se kordinimin duhet ta kërkojë te Emergjencat Civile dhe Ministria e Mbrojtjes.

Por të dy ranë dakord në një pikë: Zjarrfikësit kanë bërë një punë heroike, në situata aspak të favorshme dhe të rrezikshme për vetë jetën e tyre.

Majlinda Angoni: Tërheq vëmendjen, duhet kordinim më i mirë i bashkisë së Shkodrës për të menaxhuar situatën në malin e Vincës. Me menaxhim të mirë nuk do kishim arritur këtu. Kjo është një situatë në gjithë Shqipërinë për mos me thënë në gjithë Europën. Tendenca që të gjithë me thënë duam helikopterin nuk qëndron sepse flitet për situata të menaxhueshme. Vetëm një kordinim i mirë i aksioneve e sjell përmirësimin dhe minimizimin.

Mjetet zjarfikëse dhe burimet njerëzore kanë qenë në momentin  e duhur. Zjarrfikësit janë heronj të këtyre ditëve. Çdo fshat dhe njësi administrative ka pleqtë, dijetarët, nuk është nevoja që unë të shkoj me bo shkencë atje. Nëse shikoni një tym lajmëroni 128, ju lutem të shpëtojmë Shkodrën dhe ta duam pjesën e gjelbër, mushkërinë e Shkodrës. Në Bërdicë është shkrumbuar pjesa e rrethimit të një banese, nuk ka hyrë në shtëpi.

Bardh Spahia: Jemi përballur me një situatë esktremisht të vështirë sa i përket përhapjes së zjarreve. Ka javë që kjo situatë është prezente në bashkinë Shkodër. Kemi dominuar me sukses vatrat e zjarrit deri tani. Sot ka qenë një situatë krejtësisht e jashtëzakonshme me disa vatra zjarri në një kohë cka ka vështirësuar punën e zjarrfiksve. Situata alarmante ka qenë Postibë,Urës së Shtrenjtë, Bërdicës, Velipojës dhe disa vatra të tjera që për fat të keq janë përhapur me shpejtësi  duke rrezikuar seriozisht pronat e qytetarëve dhe jetën e tyre. Deri tani është arritur të dominohen këto situata. Situata në Postribë është në kontroll, Velipoja drejt zgjidhjes, mbetet problematike situata në Urën e Shtrenjtë në një zonë pyjore, larg banesave.  Do të duhej ndoshta prezenca e Forcave të Armatosura për të hyrë në një terren ku nuk hyjnë dot zjarrfikësit.

Fokusi mbetet në Bërdicë. Vatra e zjarrit u përhap me shumë shpejtësi për shkak edhe kushteve atmosferike, thatësirës dhe erës. Është arritur të sigurohet prona dhe jeta e banorëve. Në shumicën absolute janë zjarrvënie të qëllimshme ose nga pakujdesia çka na orienton drejt domosdoshmërisë së rritjes së sensibilizimit të qytetarëve për rrezikshmërinë që paraqet ndezja e zjarreve. Analiza u takon ekspertëve dhe strukturave kompetente. Zjarrfikësit janë përballur me një situatë të rrezikshme. Qeveria duhet të ishte më prezente me mjete  të specializuara për përballjen me këto situata. Aty ku nuk hyjnë mjetet zjarrfikëse, nevojiten mjete nga ajri për të domninuar përhapjen e zjarreve.Jemi në një situatë kritike në gjithë qarkun e Shkodrës. Situata është shumë e vështirë për shkak të erës. Në Bërdicë është afër qendrave të banimit.