Aksident rrugor në aksin Gjirokastër-Tepelene, plagosen 4 persona
Një aksident me pasoja ka ndodhur para pak minutash ne aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë duke shkaktuar plagosjen e katër personave përfshire edhe drejtuesit e mjeteve.
Ngjarja është shënuar në Urën e Kardhiqit në kthesën që të çon drejt rrugës së re për në Sarandë.
Një automjet Mercedez-Benz duket se i ka prerë rrugën një automjeti tjetër me targa AB704CR.
Përplasja ka qenë jo frontale, por anësore çka evitoi një tragjedi.
Për pasojë janë lënduar drejtuesit e mjeteve respektive, si dhe dy pasagjere të cilët janë dërguar menjëherë në Spitalin e Gjirokastrës për mjekim të specializuar.
"Rreth orës 19:05, në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur "Ura e Kardhiqit", automjeti tip "Benz" me drejtues shtetasin E. D., 38 vjeç, banues në fshatin Hormovë, Tepelenë, është përplasur me automjetin tip "Opel" me drejtuese shtetasen M. D., 42 vjeçe, banuese në Gjirokastër. Për pasojë kanë marrë dëmtime 4 pasagjerët që ndodheshin në automjetin tip "Benz", të cilët u transportuan për të marrë ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën." - njofton policia.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
