"Rama është kapur duke ndarë para" PD ngre 5 pyetje dhe tregon pse nuk ndalen pagesat për incineratorët

Partia Demokratike vijon të ngrejë zërin për atë që e quan megaaferë ku kryeministri Edi Rama është kapur duke ndarë paratë me Agaçin, Ahmetajn, Veliajn, Zoton dhe Gugallen

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi doli me një deklaratë nga selia e PD-së për të reaguar pas deklaratës së djeshme të Kryeminstrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku të cilët e justifikuan me kontratë pagesën prej 1.4 miliardë lekësh drejt incineratorëve  brenda ditës, por edhe me veprimin e bërë me kërkesë të Agjencia që ka marrë në administrim e koncesioneve të mbetjeve.

“Ne mendojmë se inceneratorët janë mega aferë ku Edi Rama është kapur duke ndarë paratë me Agaçin, Ahmetajn, Veliajn, Zoton dhe Gugallen, ndaj nuk pranon që të ndalohen pagesat dhe as që drejtësia të sekuestrojë produktet e krimit” tha deputeti demokrat.

Këlliçi ngriti dhe 5 pyetje për të cilat kërkon përgjigje

1. Pse SPAK nuk sekuestron produktin e veprimtarisë kriminale? 

2. Pse Ministria e Energjetikës nuk vepron me zgjidhjen e kontratës për mospërmbushje detyrimi… sepse nuk funksionon inceneratori (në kontratë duhet të ishte në punë qysh para 2 vitesh!)? 

3. Kush e hartoi kontratën me detyrim të pagesave të kësteve, pavarësisht fillimit apo vazhdimit të punimeve?!

4. Me që Ministria e Energjetikës qenka e detyruar nga kontrata të vazhdojë me mbështetjen financiare, përse, po në bazë të kontratës, nuk e konsideron ‘kërkimin ndërkombëtar’ për dyshen Zoto-Gugallja si braktisje nga kontraktori?! 

5. Përse nuk e zgjidh kontratën me kontraktorin Ministria për mospërmbushje të kushteve thelbësore dhe mbivendosjen e veprave penale në këtë procedurë e kontratë?!

Deri më tani SPAK ka mundur të dalë në konkluzione sa i përket incineratorit të Fierit dhe të Elbasanit duke arrestuar ish ministrin Koka dhe deputetin e PS Alqi Bllako. Pavarësisht kohës së gjatë ende nuk ka hetime për Tiranën, teksa prokuroria e Tiranës po heton 24 kompanitë e denoncuara nga LSI për evazion fiskal në lidhje me këto incineratorë.