Nga Tirana në Puglia, katër mjekë shqiptarë punësohen në spitalin Marianna Giannuzzi
"Shqiptarët janë për ne pugliezët si vëllezër, e të largët vetëm disa milje deti, Adriatiku është rrugë shtëpie për ne pugliezët si dhe për ju shqiptarët, Dua të falenderoj Shqipërinë që në këto momente i gjendet pranë Italisë, qeverisë italiane e pranë nesh si rajon", do të deklaronte kohë më parë për RTV ORA e Ora News, Michele Emiliano, guvernatori i rajonit të Puglias ndërsa komentonte mbërritjen e një ekipi mjekësh e infermerirësh nga Shqipëria, në ndihmë të sistemit shëndetësor italian për shkak të kolapsit të provokuar nga emergjenca pandemike.
Kanë kaluar mbi dy vite nga kjo deklaratë, emergjenca pandemike nuk është më e tillë por nevoja e kërkesa për mjekë e infermierë preokupon këtë rajon e të gjithë sistemin shëndetësor publik.
E zgjidhja është gjetur të punësojnë mjekë nga Shqipëria.
Katër mjekët e parë shqiptarë do të punësohen në spitalin Marianna Giannuzzi në komunën e Manduria, e një nga pikat e dobëta të sistemit shëndetësor në bregdetin jon të jugut të Italisë.
Katër mjekët shqiptarë, njohës të gjuhës italiane e të diplomuar në Shqipëri kanë mbërritur falë marrëveshjes e koordinimit mes autoriteteve shëndetësore shqiptare e drejtorisë së shendetit publik të qytetit të Tarantos.
Prej ditës së djeshme ka nisur punën në spitalin e Madurias mjeku i parë shqiptar, specialist në mjekësinë e urgjencës në Spitalin e Tiranës, të cilin e ka lënë për tu punësuar në provincën e Tarantos.
Katër mjekët shqiptarë do të punojnë krah më krah me mjekët italianë për të qenë më pas autonomë e do të pajisen me leje qëndrimi për motive punësimi.
Spitali Giannuzzi prej kohësh sinjalizon mungesë të personelit shëndetësor që ka çuar në mbylljen e repartit të gjinekologjisë e të porsalindurve.
Mungesa e personelit mjekësor në këtë spital bën që mjekët të punojnë me orë të stërzgjatura duke rrezikuar dhe shëndetin e tyre. Më 21 korrik humbi jetën në punë për shkak të një infarkti, mjeku Giovanni Buccoliero, ngjarje që shkaktoi një debat të madh publik e politik e hodhi dritë mbi ngarkesën e punës me orë të zgjatura e që mund të jetë fatale për mjekët.

